Të zhgënjyer nga kultivimi i sherebelës

schedule15:08 - 12 Qershor, 2018

schedule 15:08 - 12 Qershor, 2018

Fermerët në Kukës i janë larguar sherëbelës, e cila për dy-tre vite u mboll masivisht dhe po orientohen drejt kulturave të tjera. Kjo për shkak se prodhimi ka mbetur stok në mungesë të tregut të huaj.

Janë stoqet e sherebelës prej më shumë se tre vite. Kuksianët janë të zhgënjyer. E promovuar si një nga bimët medicinale më të kërkuara në tregun e huaj tani qëndron në magazinat e fermerëve.

Shaban Murati është njëri nga ata që ka kultivuar më shumë sherebelën. Por këtë vit, ai hoqi dorë duke e përgjysmuar sipërfaqen në kërkim të mundësive të tjera. Në krah të Shabanit qëndron edhe djali i tij Arlindi. Ka mbaruar financën në Ankara e tani pret të nisë punë në Kanada.

Por për të është shumë e rëndësishme menaxhimi i burimeve që ka secili fermer, e puna në bujqësi nuk është aspak e rëndomtë. Shabani tani ka një vreshtari e pemtari që po e zgjeron çdo ditë. Nuk ia doli dot me sherebelë, por do të kultivojë bimë të tjera medicinale.

Në Kukës një numër i madh i fermerëve për afro tre vite u morën me sherebelën. Tashmë janë në kërkim të një bime tjetër fitimprurëse./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!