Në çdo konflikt, informacioni cilësohet një armë. Përshkallëzimi i tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës dhe efektet në NATO, SHBA dhe BE janë shoqëruar me një luftë lajmesh të kombinuara me gënjeshtra, pjesërisht të vërteta dhe interpretime të ndryshme.
Në një ekosistem ku ka shumë dezinformata dhe propagandë, cilat janë të vërteta dhe cilat janë mite.
1-) NATO është zotuar se nuk do të zgjerohet në lindje
Mit
NATO nuk ka arritur kurrë në një kompromis me Moskën për kufijtë territorialë të Aleancës dhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë ka të drejtën të pranojë çdo vend që plotëson kushtet. Asnjë nga tekstet që formësuan sigurinë europiane pas Luftës së Ftohtë nuk përmbante idenë e kufizimit të zhvillimit të NATO-s ose kufizimit të anëtarësimit të disa vendeve.
E kundërta në fakt është Akti Final i Helsinkit (1975), i cili thekson se të gjitha vendet kanë të drejtën ose jo të jenë pjesë e një organizate ndërkombëtare. Pas rënies së Murit të Berlinit, Karta e Parisit (1990), e nënshkruar gjithashtu nga Moska, i dha të drejtën shteteve për të zgjedhur marrëveshjet e tyre të sigurisë.
Dhe në vitin 1997, akti themelues i marrëdhënieve NATO-Rusi theksonte në mënyrë eksplicite se të dyja palët “duhej të kishin një bashkëpunim më të gjerë midis shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së me synimin për të krijuar një zonë të përbashkët të sigurisë dhe stabilitetit në Europë”, raporton abcnews.al
2-) Ukraina është një rast i veçantë për ish-bllokun sovjetik
E vërtetë
Aleatët perëndimorë e kanë cilësuar gjithmonë rastin e Ukrainës si të veçantë, si për shkak të madhësisë së saj, lidhjeve të ngushta ekonomike dhe historike me Rusinë, dhe për shkak të programit të saj bërthamor.
Pas rënies së BRSS, Ukraina u bë vendi i tretë me arsenalin më të madh bërthamor në botë falë armëve që trashëgoi nga Moska. Kievi ra dakord në vitin 1994 të heqë dorë nga të gjitha armët bërthamore në këmbim të një angazhimi nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar për të “respektuar pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë ekzistues të Ukrainës”, sipas një memorandumi të nënshkruar nga të katër vendet.
Për më tepër, pas shpërbërjes së BRSS, Perëndimi kishte një marrëdhënie më të distancuar me Kievin sesa me vendet e tjera të bllokut sovjetik, të cilave iu është bërë thirrje të integrohen në Aleancën Atlantike. Që në vitin 1995, në studimin e parë publik të NATO-s për zgjerimin e saj drejt lindjes, janë përmenduar vetëm Ukraina dhe Rusia si dy vende me të cilat duhet të forcohen marrëdhëniet, por në një mënyrë të veçantë.
3-) Perëndimi ka sfiduar Moskën gjatë viteve të fundit
Pjesërisht e vërtetë
Bilanci i brishtë i pas Luftës së Ftohtë u shkatërrua në fillim të shekullit, kur Ukraina dhe vendet e tjera në orbitën ruse filluan të largoheshin nga Moska për t’iu afruar Brukselit, duke mos kërkuar siguri nga NATO, por prosperitet. Perëndimorët ndërmorrën dy hapa që inkurajuan këtë prirje dhe provokuan një reagim nga presidenti rus Vladimir Putin, sipas El Pais”: në samitin e NATO-s në prill 2008 në Bukuresht, presidenti i atëhershëm i SHBA George W. Bush këmbënguli, pavarësisht kundërshtimeve europiane, që Ukraina dhe Gjeorgjia të bashkoheshin me Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Kjo u pasua nga fillimi i të ashtuquajturit Partneriteti Lindor i BE-së në 2009 për të forcuar lidhjet tregtare me Armeninë, Azerbajxhanin dhe Bjellorusinë. Përgjigja e Putinit nuk vonoi shumë. Më 8 gusht 2008, në të njëjtën ditë kur të gjithë po shikonin fillimin e Lojërave Olimpike të Pekinit, Rusia pushtoi një pjesë të Gjeorgjisë – 13 vite më vonë, trupat ruse janë ende në një vend ku përplasje mund të shpërthejnë në çdo kohë për shkak të tensionit me rajonet që kanë shpallur autonominë e tyre, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, raporton abcnews.al
Kremlini ka përsëritur taktika të ngjashme në pothuajse të gjitha vendet e Partneritetit Lindor të BE-së. Presioni i Putinit ka çuar në militarizimin e të gjithë rajonit, deri në pikën ku katër nga gjashtë vendet pro-europiane renditen ndër ato me shpenzimet më të larta të mbrojtjes në botë në raport me popullsinë e tyre, raporton abcnews.al
Në Armeni dhe Azerbajxhan, shpenzimet ushtarake në vitin 2019 kaluan 4% të PBB-së vjetore, ndërsa në Ukrainë ishin afër 3.5%, të cilat vazhdojnë ende të rriten.
4-) Gazi dhe nafta luajnë një rol të rëndësishëm
E vërtetë
Çmimet e naftës dhe gazit kanë shënuar nivele rekord. Vendet prodhuese të naftës, përfshirë Rusinë, janë goditur rëndë gjatë viteve të fundit pasi çmimet kanë qenë relativisht të ulëta.
Historikisht, marrëdhënia midis rritjes së çmimeve dhe synimit të Moskës për të vepruar përtej kufijve të saj është e ngushtë. Kjo ndodhi në gusht 2008 në luftën me Gjeorgjinë dhe në shkurt 2014 me pushtimin e Krimesë.
Moska nuk është e vetmja që përfiton. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e saj kanë ende potencialin për të stabilizuar çmimet botërore të naftës nëse veprojnë së bashku. Por në 2016 dhe 2020, ata nuk mundën të binin dakord dhe çmimet e naftës shënuan rënie rekord.
Ndërsa tani po ndodh e kundërta.
5-) Ukraina është një regjim nazist
Mit
Kjo retorikë e ka origjinën në rolin e grupeve dhe individëve të ekstremit të djathtë me ideologji naziste në batalionet dhe brigadat politike që luftuan gjatë luftës së Donbasit dhe trazirave që u zhvilluan gjatë demonstratave antiqeveritare në sheshin qendror të Kievit, Maidan.
Megjithatë, ndryshe nga vendet e tjera europiane, së djathtës ekstreme aktualisht i mungon e drejta parlamentare në Ukrainë.
Kjo retorikë e Kremlinit injoron faktin që disa zyrtarë të rangut të lartë dhe figurat më me ndikim në vend janë hebrenj, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky.
6-) Në Donbas nuk ka konflikt me Rusinë, por një luftë civile në Ukrainë
Mit
Sipas Moskës, Donetsk dhe Luhansk, në Ukrainën lindore, po zhvillojnë një “luftë civile” për të fshehur rolin e tyre dhe për të negociuar drejtpërdrejt me Kievin mbi liderët separatistë, të cilët qeveria ukrainase i ka mohuar sepse i konsideron ata marioneta.
Protagonistët e kryengritjes separatiste të vitit 2014 të sponsorizuar nga Kremlini në Ukrainën lindore kanë theksuar se Moska ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë viteve edhe pse në fshehtësi. Pas largimit të ish-presidentit pro-rus ukrainas Viktor Janukoviç dhe aneksimit të të Krimesë në mars 2014, u zhvilluan një sërë demonstratash në rajon.
Gjithashtu është raportuar se separatistët në Ukrainën Lindore pushtuan ndërtesat qeveritare pasi biseduan me Sergei Glazyev, në atë kohë këshilltar i Putinit.
/abcnews.al