TIRANË- Gazetarja dhe autorja e emisionit “Gjërat Tona”, Etleva Delia thotë se priten të tjera zhvillime sa i takohen hetimeve, që po kryhen në lidhje me dosjen e AKSHI-t.
E ftuar në “Real Story”, gazetarja theksoi se referuar burimeve nga brenda Prokurorisë thotë se ka video dhe incizime të tjera, të cilat po kalojnë në filtrin e verifikimeve.
Sipas saj, goditja e sotme, që preku dhe ish-kryetaren e SHISH, Vlora Hyseni nuk do jetë e fundit, por priten zhvillime të tjera.
“Fakti që ekzistojnë, ka prova të tilla që janë sekuestruar në zyrën e Ergys Agasit, nuk është se është thënë zyrtarisht, por burime brenda Prokurorisë e konfirmojnë se ka video, incizime, ka shumë prova të tjera që po analizohen ndërkohë në laboratorin e Policisë Shkencore, dhe këtu është arrestuar dhe përgjegjësi i sektorit. Por, të paktën me aq informacion sa kam, ka edhe persona të tjerë që mund të dalin në vijimësi, pra nuk është kjo goditja e fundit, ka edhe persona të tjerë, pastaj se sa do t’i shkohet deri në fund, pastaj nëse këto prova do rrëzohen rrugës apo do merren të mirëqena, kjo mbetet në dorën e Prokurorisë së Posaçme”, tha ajo.

