Katër të rinjtë që mbetën të plagosur me armë mbrëmjen e të hënës në Elbasan kanë lënë spitalin pasi, sipas mjekëve, ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, policia po punon për kapjen e autorit, i cili sipas hetimeve paraprake dyshohet se ka pasur në shënjestër Armando Tomorricën dhe Renaldo Mançen. Shkak mendohet të jetë bërë një konflikt i mëparshëm mes tyre.
Sipas dëshmitarëve, mbrëmjen e të hënës, kur dhe ka ndodhur ngjarja, 32-vjeçari Tomorrica dhe 31-vjeçari Mançe ishin ulur në verandën e një lokali në lagjen “Vullnetari”, bashkë me kamarierin 19-vjeçar Biorgi Hoxha, kur autori, i cili mbante maskë në fytyrë, iu është afruar. Fillimisht ai i ka ofenduar të rinjtë dhe më pas ka qëlluar drejt tyre, duke i lënë të plagosur tre personat në tavolinë dhe të lënduar lehtë një tjetër që ishte në lokal.
Në këto çaste në lokal ndodheshin rreth 20 persona. Një oficer policie jashtë shërbimit, i cili pasi dëgjoi të shtënat u vu në ndjekje të autorit, por pa rezultat, dhe nipi i Kastriot Kilës, emër i njohur për policinë. Prokuroria e Elbasanit nuk konfirmon se ai ishte shënjestër e autorit, por aktualisht nuk është pistë kryesore e hetimit, ndonëse po konsiderohet.
Autori menjëherë pasi ka qëlluar është larguar nga lokali në këmbë dhe rrugës ka hedhur armën e zjarrit. Errësira dhe mungesa e kamerave të sigurisë ka vështirësuar identifikimin. Policia po punon për kapjen e autorit dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që në vendngjarje gjeti 6 gëzhoja./abcnews.al



