MAL I ZI– Të paktën 10 persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë në Cetinje në pasditen e 1 janarit, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm malazez, Danillo Sharanoviç.
Policia është në kërkim të Aco Martinoviçit, i cili është i dyshuar për vrasjet dhe plagosjet.
Sipas raportimeve, Martinoviç i ka vrarë katër persona në një bar dhe gjashtë të tjerë nëpër lokacione tjera, përfshirë anëtarë të familjes së tij.
Katër persona janë dërguar në Qendrën Klinike të Podgoricës në gjendje kritike, sipas drejtorit të këtij institucioni Aleksandar Radoviç.
Policia ka thënë se i dyshuari, që është ende në arrati “është i armatosur dhe i rrezikshëm”.
Sipas deklaratës së Policisë, në mesin e të vrarëve janë disa anëtarë të familjes së Martinoviçit. Martinović e nisi masakrën në tavernën “Velestovo”, pranë Qendrës Sportive.
Pas krimit në atë tavernë, ai vazhdoi me aktin e tij të përgjakshëm. “Vijesti” u informua se fillimisht një sherr shpërtheu në lokal, pas së cilës personi i shpallur në kërkim nxori një armë dhe qëlloi.
Kryeministri malazez, Millojko Spajiq është parë jashtë spitalit, dhe e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme, dhe që të gjitha forcat policore janë angazhuar në kërkim të vrasësit. Ai shkroi në rrjetin X se edhe ushtria do t’i bashkohet policisë në kërkim.
Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi për motivet e mundshme të vrasjeve. Martinoviç është dënuar me kusht në vitin 2005 për sjellje të dhunshme me një vit burg, por nuk është konsideruar si person me interes për sigurinë, tha ministri Sharanoviç.
Ai shtoi se në vitin 2022 tek ai u gjetën armë dhe eksploziv, për çka është dënuar në shkallën e parë me tre muaj burg.
Policia u ka bërë thirrje banorëve të Cetinjes që të qëndrojnë në ambiente të brendshme.
Qyteza e Cetinjes është rreth 30 kilometra larg Podgoricës.
Qeveria e Malit të Zi i ka shpallur tri ditë zie, më 2,3 dhe 4 janar, për shkak të këtij rasti.
Koncertet për shënim të Vitit të Ri janë anuluar në Podgoricë, Budvë dhe Kotor, ndërsa kryeministri Spajiq u ka bërë thirrje edhe komunave tjera që t’i anulojnë organizimet e jashtme.
Sulmet me armë me viktima në masë janë relativisht të rralla në Mal të Zi, vend që ka një kulturë të rrënjosur thellë të armëve.
Në vitin 2022, 11 persona, duke përfshirë dy fëmijë dhe një person të armatosur, u vranë si pasojë e të shtënave masive. Gjashtë të tjerë u plagosën.