Një grua ka vdekur dhe 14 persona të tjerë, mes të cilëve dhe një fëmijë, mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri të qëlluara në një rrugë të Torontos në Kanada.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë shumë të frekuentuar. Disa nga të plagosurit janë mjekuar në rrugë, ndërsa të tjerët janë transportuar në spitalet e zonës. Policia ka bërë me dije se agresori është vrarë. Sipas disa dëshmitarëve, personi , i cili ishte i veshur me të zeza, ka qëlluar mbi 20 herë me armë.
Mediat kanadeze raportojnë se agresori ka shtënë kundër policisë përpara se ta drejtonte armën kundër vetes. Nuk janë akoma të qarta shkaqet që kanë çuar autorin të qëllojë kundër qytetarëve në lagjen e njohur si Greektown. Për këtë autoritetet po zhvillojnë një hetim.
“Isha në restorant me familjen time, kur kam dëgjuar disa krisma që dukeshin si fishekzjarre. Më pas kam parë njerëz që iknin me vrap dhe që ulërisnin”, ka treguar një dëshmitar okular.
Agresori është kapur edhe nga një video amatore, ndërsa qëllon kundër qytetarëve. Në pamjet filmike, që janë publikuar në rrjetet sociale, shikohet një person i veshur me të zeza, me fytyrë të mbuluar dhe me një kapele në , ndërsa afrohet tek një ndërtesë dhe nxjerr pistoleten për të qëlluar. Ndërkohë, ende nuk dihet natyra e këtij sulmi, dhe autoritetet nuk përjashtojnë atë të terrorizmit./abcnews.al