Të rinjtë e opozitës protestojnë kundër Xhafajt

schedule15:16 - 29 Maj, 2018

schedule 15:16 - 29 Maj, 2018

Aktivistë të rinj të partive opozitare protestuan sot para Ministrisë së Brendshme kundër ministrit Fatmir Xhafaj. Në tubim nuk munguan simbolika, si improvizimi i një gomoneje me drogë apo peshqit.

Gjatë protestës nuk pati incidente. Të rinjtë e FRPD-së dhe ato të LRI-së u nisën nga selia e Partisë Demokratike drejt ministrisë së Brendshme në orën 12, ashtu siç kishin njoftuar më herët.

Tubimi para Ministrisë së Brendshme zgjati rreth 40 minuta. Të rinjtë opozitarë kërkuan largimin nga detyra te ministrit Fatmir Xhafaj, ndërsa ky i fundit, ndryshe nga protesta e 26 Majit, zgjodhi të mos ishte në zyrën e tij.

Protestuesit mbanin pankarta me shkrimet ‘Tahiri i lirë, kuksianët në burg’. Tubimi u shoqërua me thirrjet ‘Rama ik, Xhafaj ik’. Në shenjë proteste, opozitarët qëlluan me vezë, peshq dhe letra higjenike në drejtim të ndërtesës së Ministrisë së Brendshme.

 Për të simbolizuar trafikun e drogës, protestuesit sollën para ministrisë një gomone dhe fotot e Xhafajt, Tahirit dhe Ramës. Policia formoi dy kordonë efektivësh para Ministrisë së Brendshme, por nuk ka pasur incidente.

Belind Këlliçi: “Gjeni një vend tjetër të botës, ku ministri paraardhës i ministrit që ka vëllain e dënuar me shtatë vite burg, është në hetim nga antimafia e një shteti të huaj për trafik ndërkombëtar droge. A mund të jetë ky standardi i rinisë shqiptare”?

Floida Kërpaçi: “Një ministri që është një nga më të rëndësishme të vendit drejtohet nga krimi dhe nga bandat. Si do të presim ne që të integrohemi”?

Në mbështetje të protestës së të rinjve të opozitës, ishin edhe deputetët, Edi Paloka, Jorida Tabaku dhe Florian Mima./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!