Të rinj në qeveri, të vjetër në parti/ Ministrat e rinj në kabinet, nga Bashkia e Tiranës dhe Mjaft

schedule15:12 - 5 Shtator, 2023

schedule 15:12 - 5 Shtator, 2023

TIRANË – Qeveria e re e Edi Ramës pret firmën e presidentit dhe votën formale në Kuvend.

Pas kësaj, 5 emra të rinj do të ulen në karriget e ministrave për herë të parë, ndërsa dy do të ndërrojnë thjesht vendet. Igli Hasani do të lërë postin e tij në OSBE në Vienë për tu bërë kryediplomat i Shqipërisë.

Ai do të zërë vendin e Olta Xhackës pas një karriere të mëparshme si ambasador i Shqipërisë në OSBE. Mandati i tij përkoi me vitin kur Shqipëria kishte presidencën e organizatës, një rast i rrallë për një vend të vogël. Përformanca e Igli Hasanit atë vit në drejtimin e OSBE-së, duket se ka shtuar pikët për të në sytë e Edi Ramës. Madje kjo performancë si ambasador i Shqipërisë, ra edhe në sytë e vetë OSBE-së, e cila i besoi atij një prej tre sekretariateve më të rëndësishme, që Hasani e mbajti deri sot.

Ministrja e re e shëndetësisë nuk është e panjohur për qeverinë, edhe pse asnjëherë nuk ka qenë ministre. Albana Kociu është aktualisht drejtore e departamentit të administratës publike, që nga viti 2013 kur Edi Rama erdhi në pushtet. Ajo bën pjesë në skuadrën e bashkëpunëtorëve që Edi Rama e trashëgon që nga bashkia Tiranë.

Ministrja e re e Bujqësisë, nuk hyn për herë të parë në kabinetin e kryeministrit socialist. Anila Denaj, aktualisht deputete e PS-së, ka qenë edhe më herët në administratë dhe ministre e financave.
Dy ministrat e tjerë kanë një lindje politike të përbashkët: Ervin Mete dhe Arbian Mazniku. Ata i kanë fillimet e tyre në organizatën Mjaft të drejtuar nga Veliaj. Pas integrimit të tyre në Partinë Socialiste, Mazniku dhe Mete kanë mbajtur poste të ndryshme, deri në nivel zëvendësministrash.

Aktualisht Ervin Mete mbante postin e kreut të Autoritetit të Mbikrqyrjes Financiare, të cilën do ta lërë për tu ulur në vend të Delina Ibrahimajt në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.
Ndërsa Arbian Mazniku do të lërë detyrën si nënkryetar i Bashkisë Tiranë, një hap më larg Erion Veliajt, për të shkuar edhe më afër me Edi Ramën si ministër për Pushtetin Vendor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!