Të riatdhesuarit në hotelin e Shëngjinit thyejnë karantinën, lezhjanët kërkojnë ndërhyrje urgjente

schedule09:41 - 4 Maj, 2020

schedule 09:41 - 4 Maj, 2020

Gjatë ditës së djeshme, një situatë problematike është krijuar në Shëngjin ku ndodhen të karantinuar në hotel disa të riatdhesuar.

Siç raportoi edhe gazetari Gjergj Figuri për Abc News, dalja e këtyre personave që supozohej të qëndronin të vetizoluar, është bërë shkak edhe që Lezha të mos jetë në hartën e zonave të gjelbërta.

Deri më tani, në këtë zonë nuk ka më asnjë rast, por tashmë qytetarët po shpresojnë që situata mos të përkeqësohet për shkak të veprimit të pamatur të personave që duhej të qëndronin në hotel.

Gazetari Figuri thotë se hoteli në fjalë po ruhej vetëm nga 4 ushtarë ndërsa struktura ku ata janë të akomoduar ka hyrje e dalje të shumta, dhe ushtarët e kanë pasur të pamundur që t’i ruanin.

Raportohet gjithashtu se policia e shtetit nuk ka qenë e pranishme gjatë fundjavës dhe se në rrugë kanë dalë jo vetëm grupet e lejuara por edhe persona të tjerë.

Sa i përket masave të marra që nga incidenti i djeshëm, gazetari Figuri raporton se situata në Lezhë ka qenë ndryshe dhe se ka pasur forca policore, por në Shëngjin kanë munguar persona që të kontrollonin rendin.

Sa i përket ditës së sotme, situata duket më në kontroll ndërsa nuk janë parë më të riatdhesuar që të dalin në shëtitoren e Shëngjinit. /abcnews.al/