Të premten vijon dialogu Prishtinë-Beograd

schedule15:15 - 6 Shtator, 2018

schedule 15:15 - 6 Shtator, 2018

Zhvillohet nesër në Bruksel raundi i rradhës i dialogut të nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit. Presidentët e dy vendeve, Thaçi dhe Vuçiç pritet të takohen në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë europiane Federika Moderini.

Dialogu, që ka si synim normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, është një kërkesë e vazhdueshme e BE si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë, në funksion të integrimit të këtyre dy shteteve në familjen europiane. Ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht axhenda e bisedimeve të ditës së nesërme. Vetë presidenti Thaçi kishte deklaruar më herët se do t’i paraqesë homologut të tij serb tezën e tij për korrrigjimin e kufirit dy palësh.

Por dy ditë më parë, presidenca në Prishtinë bëri të ditur për gazetën kosovare “Zëri”, se “korrigjimi i kufijve” dhe Asosacioni i komunave serbe nuk do të jenë në tryezën e bisedimeve të 7 shtatorit në Bruksel. Shumë faktorë politike në Kosovë dhe jo vetëm janë shprehur kundër kësaj teze. Edhe politika e Beogradit nuk duket e unifikuar përballë idesë së korrigjimit të kufirit me Kosovën. Ministri i jashtem Daçiç ka qenë një nga zërat më kundërshtues, duke u shprehur qartë më shumë se njëherë se Kosova duhet ta harrojë Luginën e Preshevës. Ndërsa BE dhe SHBA kanë bërë të qartë se mbështesin çdo marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, që nuk cënon tërësinë territoriale dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor./abcnews.al