“Të kemi ekip në Parlamentin Europian”, Rama: Kërkesë Brukselit, të përfshihemi në organet tuaja, për eksperiencë

schedule09:52 - 19 Shtator, 2024

schedule 09:52 - 19 Shtator, 2024

BRUKSEL- Kryeministrit i vendit, Edi Rama, në konferencë me Presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke tha se Shqipëria dëshiron të ketë ekipin e saj në Parlamentin Evropian, për t’u përgatitur për atë që e pret, siç është integrimi në BE.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian ashtu dhe vendet aspirante për t’u bërë pjesë e asaj familjeje janë të kënaqura me punën që po bëhet.

“Të dyja palët po buzëqeshin, askush nuk është nervoz dhe të gjithë janë të kënaqur për punën që është bërë. Diçka po ndryshon, kjo në sajë të vullnetit të mirë të Brukselit. Kemi planin e rritjes dhe po bëjmë diskutimin për integrimin gradual në BE. Dëshiroj të them që ne po avokojmë që ne të jemi të pranishëm edhe në Parlamentin Europian, sigurisht jo me eurodeputetë që do të kenë të drejtën e votës, por me ekipet tona të cilat do të fillojnë të përgatiten për fazën e ardhshme, për atë fazë kur ne do të kemi eurodeputetët tanë në Parlamentin Evropian dhe pse të fillojmë nga zero atëherë, në momentin si turistët japonezë që vizitojnë muzeun e Luvrit në Paris? Jo, ne do të jemi aty me një status të caktuar për të pritur pastaj eurodeputetët shqiptarë në të ardhmen.”, tha Rama.

Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke u shpreh se planet janë që “Komitet i Përbashkët Konsultativ të jetë i përhershëm”, por ky hap shtoi ai është në fazën e diskutimeve.

“Atëherë, projekti ynë pilot do të vijojë deri në fund të këtij vitit dhe siç e thashë, jemi tërësisht të qartë që dëshirojmë të vijojmë me të dhe ideja është që ta zgjasim atë edhe për të gjithë vitin e ardhshëm. Megjithatë në të njëjtën kohë po shikojmë se çfarë mekanizmi kemi në mënyrë që kjo strukturë të bëhet e përhershme, pra po punojmë për këtë gjë dhe në fund të fundit do të varet nga i gjithë komiteti ekonomiko- social evropian. Duhet marrë ky vendim siç e morëm më përpara në formë autonome në mënyrë që të kemi pra nismën e vendeve kandidate me përfaqësues të tyre në mënyrë që të jenë gjatë gjithë kohës në këtë komitet i cili është i përberë me përfaqësues nga shtetet anëtarë. Kemi edhe disa pikëpyetje në lidhje me buxhetin, por unë nuk mendoj që duhet të tregohemi të vegjël për një çështje kaq të madhe politike që është zgjerimi i BE me Ballkanin Perëndimor, një çështje kjo strategjike dhe do të gjejmë patjetër mënyrat e duhura që të kemi buxhetin e duhur dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm ky komitet, pra kjo pjesë e komitetit të jetë e përhershme.”,  tha ai./ abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!