Të moshuarit vijojnë të vaksinohen në sheshin “Skënderbej”: Jemi më të sigurt, shqetësime s’kemi

schedule21:05 - 1 Prill, 2021

schedule 21:05 - 1 Prill, 2021

Nga Ajgena Korbi

U sigurua se gjithçka i shkoi mirë dhe të enjten solli bashkëshorten për t’u vaksinuar kundër koronavirusit. Jorgo Jani, 81 vjeç na tregon se mori dozën e parë të Sinovac-ut kinez para dy ditësh në qendrën shëndetësorë të lagjes ndërsa sot shoqëroi të shoqen për të marrë vaksinën në sheshin “Skënderbej”.

“Erdhi e bëri gruaja këtu sot, e s’mund ta lija vetëm. Vaksinën e bëra pardje. Asnjë farë problemi nuk kisha.”

Injeksionin anti-covid e ka marrë dhe ky 73 vjeçar. Dy orë pas vaksinës, thotë se nuk ka asnjë shqetësim.

“Asgjë të keqe s’ka. Nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Një vit kemi pasur tortura. Pse të mos jem i lirë, i qetë? Se kemi vujt shumë. Mos këtu, mos atje. Tani jam i qetë fare.”

Vaksinën kundër koronavirusit shumë prej të moshuarve e shohin si mënyrën për të thyer barrierat që i ka vendosur pandemia.

“Me maska kemi ndenjur, brenda kemi ndenjur. Ja radha e parë që dalim nga shtëpia. Tani që marrim vaksinën, mbase jemi më të mbrojtur,” thotë një qytetare për mikrofonin e ABC.

Vaksina kineze Sinovac sipas specialistëve krijon antitrupa 10 ditë pas injeksionit të parë, por mbrojtja prej saj arrihet me marrjen e dy dozave të cilat kryhen 1 muaj larg njëra tjetrës. Prandaj mjekët apelojnë për të mos neglizhuar masat që frenojnë përhapjen e infeksionit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!