“Të miturit e protestës do trajtohen me psikologë”, Lëvizja për Universitetin: Kushi të dorëhiqet

schedule13:05 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 13:05 - 14 Dhjetor, 2020

Prej pesë ditësh vendi është përfshirë në trazira dhe protesta për vrasjen e Klodian Rashës nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj.

Në këtë protesta në polici ka pasur shoqërime , në mesin e tyre edhe të mitur, fakt ky që ka sjellë reagime për lirimin e të miturve.

Ministrja e Arsimit më herët foli në studion e ABC për pjesëmarrjen e të miturve në protestë, duke u shprehur se ata po përdorën nga aktorë politikë.

Lexo edhe: Fëmijët në protestë, Kushi në “ABC”: Do i trajtojmë me psikolog! Gazi lotsjellës? Prandaj është krijuar

Kushi gjithashtu tha se pasi të qetësohet situata, të miturit do të identifikohen dhe do të trajtohen me psikologë .

Pas kësaj deklarate ka ardhur një reagim nga Lëvizja për Universitetin ku edhe kanë shprehur kërkesën e tyre për dorëheqjen e ministres së Arsimit.

Statusi:

EVIS KUSHI DORËHIQU!

Dje ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka tentuar të nëpërkëmbë frymën e protestës së të rinjve duke i konsideruar subjekte të psikologut. Ministrja nuk e di se psikologu nuk mund të caktohet nëse nuk kërkohet dhe miratohet nga vetë personi.

Ministrja Kushi duhet të shqetësohej për fëmijët dhe mësuesit që përdoren për fushata elektorale dhe propagandë mediatike. Ajo duhet të shqetësohej për raportet e Bankës Botërore, ku 50% e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë për shkak të hendekut të madh të pabarazive sociale. Hendek ky i cili thellohet akoma më shumë me ligjin e arsimit të lartë, ku studentët kthehen në klientë që peshohen nga xhepat.

Shqipëria është në vendin e fundit në rajon për financimin e arsimit, me vetëm 3.3% të PBB-së, ndërkohë që vendet e tjera e kanë 4-4.5%.

E ftuar në studiot televizive për të bërë propagandë kundra protestës, ministrja Kushi shprehej gjithashtu se protesta ishte krim. Ajo harron qëllimisht që shumë minorenë janë dhunuar, arrestuar dhe përndjekur nga Policia e Shtetit. Sipas raportit të Avokatit të Popullit nga 182 të ndaluar, 60 prej tyre janë të mitur.

Gjithashtu rezulton se ndaj të miturve nuk janë respektuar parashikimet dhe standartet e legjislacionit lidhur me praninë e psikologut, si dhe vendin e marrjes në pyetje të të miturve.

Sot Lëvizja Për Universitetin kërkon dorëheqjen e ministres Evis Kushi. Pas akuzave për plagjiaturë të punimit shkencor të doktoraturës, dështimit të mësimit online dhe keqmenaxhimit të shkollave në këtë gjendje pandemie, deklarata të tilla përçmuese si ajo e djeshmja janë të denja vetëm për regjimet diktatoriale.

/abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!