Të martën seancë e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë

schedule12:59 - 3 Shtator, 2018

schedule 12:59 - 3 Shtator, 2018

Të martën parlamenti i Kosovës do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme spas kërkesës së opozitës, e cila kërkon rrëzimin e idesë së presidentit Thaçi për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Është pranuar kërkesa e opozitës në Kosovë nga Kryesia e Kuvendit e cila ka vendosur që të martën të ketë një seancë të jashëtzakonshme për procesin e dialogut me Serbinë. Debati parlamentar është kërkuar për të diskutuar idetë e Presidentit të Kosovës për “shkëmbimin e territoreve” apo “korrigjim të kufijve” me Serbinë.

Kërkesa është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila u mbështet edhe nga grupet tjera politike në opozitë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë tha se qëndrimet e tij politike rreth kësaj çështje do t’i bëj publike gjatë seancës të së martës. Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se pret që në seancën e së martës të ketë mbështetjen edhe të partive të koalicionit për të kaluar rezolutën për dialogun.

Hoti bëri apel që deputetët të votojnë pro rezolutës që i ndalon presidentit Hashim Thaçi të bisedojë me Serbinë për kufijtë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç do të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve më 7 shtator. Thaçi është shprehur se në dialog do të flasë edhe për mundësinë e bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian pret që në fund të këtij procesi të dyja shtetet të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila veç tjerash, i hap perspektivën evropiane të dyja shteteve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!