“Të luajë Olsi në vend të Telushit, të paaftë”, bllokimi i merkatos shkakton revoltë

schedule09:39 - 4 Shtator, 2020

schedule 09:39 - 4 Shtator, 2020

Partizani e ka humbur betejën e parë. CAS ka ndërmarrë vendimin e ndërmjetëm dhe të kuqtë nuk mund të bëjnë merkato këtë verë, ndërkohë që rrezikojnë të njëjtën gjë edhe në janar. Dënimi i FIFA ka qenë pikërisht për dy sesione, veç gjobës 80 mijë euro që klubi i kuq dhe Eraldo Çinari duhet ta paguajnë së bashku.

Te Partizani kishte optimizëm se merkato do t’u zhbllokohej me pranimin e çështjes në CAS, por kjo gjë nuk ndodhi dhe tani duhet të mendojnë ta përballojnë pjesën e parë të sezonit pa bërë përforcime dhe me shpresën se gjyqi do të zhvillohet dhe do të ketë një vendim para janarit.

REVOLTA E TIFOZËVE – Partizani bëri të ditur vendimin e ndërmjetëm të CAS mbrëmjen e djeshme dhe tifozët nuk kanë ngurruar të komentojnë dhe akuza për paaftësi janë të shumta, sikurse thirrjet për ndonjë shkarkim.

Nuk mungojnë thumbat as për largimet e bëra, si ajo e Bruno Telushit. Një tifoz e ka me drejtorin Olsi Rama, teksa shkruan: “Në vend të Telushit do luajë Olsi Rama”. Në fakt edhe të tjera që komentojnë kundër Drejtorit të Përgjithshëm dhe juristit të klubit.

Një tjetër shton: “Në klubin tonë është mbledhur një grup të paaftësh që në një ndërmarrje ose klub normal nuk do i lejonin as të merreshin me fotokopje, jo më të përfaqësonin nga ana ligjore dhe sportive një klub që e quan veten serioz. Por si gjithmonë, faji do mbetet jetim ose, edhe më keq, do akuzohet FIFA dhe CAS-i si antishqiptar”.

Mes tifozëve që komentojnë ka edhe nga ata që mundohen të jenë pozitivë dhe të shohin përpara: “Tani jepni 200% në fushë që të arrini ndonjë objektiv. Paaftësinë e drejtuesve si gjithmonë e vuajmë ne tifozët. Luani për fanellë”, shkruan një prej tyre, ndërkohë që ka edhe komente të tjera të tilla.

“Ajo që ndodhi iku dhe nuk kthehet mbrapa, thjesht nuk duhet të humbim besimin, duhet të luftojnë fort për objektivat. Duhet të ecim para, jo mbrapa. Besim te çunat, te trajneri ri. Të bëhemi grup të gjithë dhe ashtu mund të ja arrijmë qëllimit. Nuk kanë më shumë ekipet e tjera, po i shohim”, shkruan një tifoz i kuq, ndërkohë që në faqen zyrtare mund të lexohen lehtësisht komentet e tifozëve, që janë të shumëllojshme. /abcnews.al