Të dyshuar për spiunazh, Mali i Zi arreston 38 persona, mes tyre edhe diplomatë rusë

schedule14:52 - 29 Shtator, 2022

schedule 14:52 - 29 Shtator, 2022

Autoritetet në Mal të Zi kanë arrestuar 38 persona, kryesisht shtetas rusë, të dyshuar për spiunazh.

Më herët gjatë ditës së sotme, kryeministri Dritan Abazoviç tha në një transmetim të drejtpërdrejtë të mbledhjes së kabinetit se një “operacion ndërkombëtar” me partnerë të huaj dhe prokurorinë e shtetit ishte duke u zhvilluar për të mbrojtur interesat e vendit, por ai nuk u zgjat më tej.

Mali i Zi, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, merr pjesë në sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, ndërsa ka dëbuar diplomatë rusë në të kaluarën.

Mediat malazeze raportuan se agjentët e Shërbimit të Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi (ANB) dhe Zyrës së Prokurorit Special të Shtetit (SDT) arrestuan gjashtë diplomatë rusë, 30 shtetas rusë me leje qëndrimi të përkohshëm dhe dy malazezë të dyshuar për spiunazh.

Në vitin 2016, Mali i Zi akuzoi agjentët rusë për përfshirje në një komplot për të sjellë në pushtet opozitën pro-ruse, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviç dhe për të ndaluar integrimin e ish-republikës jugosllave në NATO.

Moska i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat si absurde. Mali i Zi iu bashkua aleancës ushtarake perëndimore në vitin 2017. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!