Partia Demokratike deklaroi sot se mbledhja e informacioneve private per qytetaret shqiptare nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë eshte cilesuar e paligjshme nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Deputetja Albana Vokshi tha se PD do të vijojë adresimin e kësaj çështjeje edhe në rrugë institucionale ndërkombëtare.
Denoncimit të javëve të fundit lidhur me urdhrat e ministrisë së arsimit dhe asaj të shëndetësisë për grumbullimin e të dhënave personale të prindërve dhe pacientëve, pas kallëzimit edhe në prokurori, partia demokratike ka bërë publike përgjigjen e dytë zyrtare të ardhur nga Komisoneri për Mbrojtjen e të dhënave personale.
“Në shkresën e parë, Komisioneri Urdhëronte pezullimin e menjëhershëm të të dhënave nga Ministria e Arsimit. Në këtë shkresë, Rekomandim, Komisioneri vë në dijeni që pas kërkesës së PD-së, ka kryer edhe një hetim administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në Rekomandimin nr. 21 të datës 31 Maj, Komisioneri shprehet qartë se urdhri i Ministres Manastirliu që kërkon nga pacientët dhe administrata “numrin personal të identifikimit” është në shkelje flagrante të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Qëllim, sipas demokratëve është përdorimi i këtyre të dhënave për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme.
“Legjislacioni në fuqi e ndalon rreptësisht përdorimin apo përpunimin e të dhënave pa ditur qëllimin. As pacientët, as punonjësit e administratës, nuk janë informuar mbi qëllimin dhe mënyrën e përpunimit të të dhënave. Ata janë shantazhuar dhe kërcënuar me pushime nga puna, nëse nuk plotësojnë tabelën e dërguar nga zyra e Ramës, tabelë në të cilën ndodhen të dhënat personale që do t’i shërbejnë Edi Ramës për operacionin e paligjshëm të blerjes së votës apo intimidimit të votuesve”.
Partia Demokratike përsëriti thirrjen ndaj prindërve, mjekëve, mësuesve, infermierëve dhe punonjësve të administratës të refuzojnë dhënien e të dhënave personale pasi qëllimi i vetëm i mbledhjes së tyre është keqpërdorimi. Vokshi deklaroi se PD do të vijojë adresimin e kësaj çështjeje edhe në rrugë institucionale ndërkombëtare. /abcnews.al