Të dëbohen emigrantët evropianë të papunë në Gjermani, italianët në frikë

schedule13:06 - 23 Shtator, 2018

schedule 13:06 - 23 Shtator, 2018

Emigrantët evropianë në Gjermani, kryesisht ata nga italia, kanë frikë se mund të dëbohen nëse nuk gjejnë punë për të siguruar mbijetesën. Alarmi është dhënë nga një radio në Këln, që raportoi rastin e një gruaje italiane, të cilës i është dhënë 15 kohë për të gjetur një punë, në të kundërt do të dëbohet.

Shqiptarët nuk janë të vetmit që rrezikojnë dëbimin nga Gjermania. Italianët dhe të gjithë evropianët të cilët kanë emigruar në Gjermani dhe që kanë mbetur pa punë mund të dëbohen nëse nuk mund të gjejnë punë brenda gjashtë muajve. Alarmi është dhënë nga Radio Këln, me një shërbim transmetimi në italisht, që transmetonte dëshminë tronditëse të një gruaje italiane, të cilës iu dha 15 ditë kohë për të gjetur një punë, në të kundërt do të riatdhesohej me forcë.

“Nëse do të ishte e vërtetë, qëndrimi i Gjermanisë do të ishte shumë serioz dhe do të prekte vetë thelbin e BE-së,” tha për ANSA nënsekretari italian i Punëve të Jashtme, Riçardo Merlo.

Ai thekson se “do të ishte një paradoks: Italia nën akuzë sepse përpiqet të mbrojë Evropën nga emigracioni i paligjshëm dhe Merkel që po godet një të drejtë themelore të qytetarëve të BE-së”.

Një grua italiane tha se ishte thirrur nga Zyra e Emigracionit, e cila i dha asaj një lloj ultimatumi.

“Ata më thanë se kisha pesëmbëdhjetë ditë kohë, duke parë që nuk mund të siguroja mbijetesën time, për të gjetur një punë: ndryshe do të riatdhesohesha dhe ata do të më paguanin udhëtimin për mua dhe vajzat, nëse nuk do të kisha mundësi t’i paguaja”, nënvizon shtetasja italiane.

Gruaja shtoi se ajo kishte hequr dorë nga puna për shkak të shtatëzanisë dhe pastaj ishte ndarë, duke mbetur pa mjete për të siguruar jetesën. Pas kërkesës për ndihmë sociale dhe një pritje prej tre muajsh, paralajmërimi mbërriti. Por nuk është një rast i izoluar dhe shumë prej tyre kanë pasur komunikime të ngjashme, fillimisht me fjalë dhe pastaj me letër./abcnews.al