Task-forca e turizmit në Pogradec, Klosi: Nuk është respektuar kuota

schedule16:00 - 13 Korrik, 2019

schedule 16:00 - 13 Korrik, 2019

Nga Pogradeci në mbledhjen e Task-Forcës së turizmit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi paralajmeroi të gjitha subjektet që shfrytëzojnë hapësirën e bregdetit se duhet të respektojnë hapësirat publike në zonat e plazhit. Nëse nuk zbatohet ligji, Klosi deklaroi se subjektet do të ndëshkohen me gjobat përkatëse.

Nuk do të tolerohet mungesa e respektimit të ligjit për hapësirën publike të plazheve. Ky ishte paralajmërimi i ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nga Pogradeci gjatë mbledhjes së Task-Forcës së turizmit.

 “Është rritur numri i turistëve, është rritur turizmi, por na duhet të ecim paralelisht me standartet. VKM-ja për stacionet e plazhit parashikon 20 % të hapësirës së bregdetit brenda njē njësie, duhet të jetë plazh publik. Kjo nuk është respektuar dhe tashmë institucionet do të veprojnë, sikundër në Durrës që iu kthye hapësira e plazhit publik, qytetarëve. Vendimi i Këshillit të Ministrave për këtë është i prerë. Mozbatimi i tij penalizon drejtpërsëdrejtë ata që ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë të paligjshme, organet vendore që duhet ta kontrollojnë dhe natyrisht edhe të gjithë ne organet shtetërore që duhet të bëjmë monitorimin”

Ministri Klosi gjithashtu theksoi se duhet kthyer vemendja edhe tek kullat e vrojtimit dhe rojet e certifikuar të ruajtjes së jetës në plazhe.

 “Nga 50 subjekte të monitoruara, vetëm 14 i zbatojnë të gjitha kriteret e VKM për stacionet e plazheve. Nuk mund të kemi rritje cilësore të turizmit, nëse nuk kemi rritje të shpejtë të shërbimeve dhe standarteve”.

Klosi gjatë takimit në Pogradec u tërhoqi vëmendjen tur operatorëve përsa i përket mjedisit duke kërkuar trajtimin e ujërave të zeza, pajisjen me leje mjedisore dhe zbatimin e tyre, çka do të ofronte turizëm me standarde. /ABC News Albania 24/7