Mbrëmjen e djeshme RENEA zbarkoi në Peqin ku ushtroi kontrolle nëpër shtëpi dhe biznese për kapjen e të shpallurve në kërkim pas operacionit Plumbi i Artë. I shumëkërkuari Talo Çela, i cili sipas informacioneve të policisë fshihej në një nga banesat ku u ushtrua kontroll, arriti t’i shpëtonte përsëri bluve. Policia e Shtetit në një konferencë urgjente dha detaje mbi superaksionin e zhvilluar dje.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan Ardian Çipa, së bashku me prokurorin e Rrethit Gjyqësor Elbasan Kreshnik Ajazi dhe prokurorin e çështjes Xhelian Seferi, në konferencë për shtyp bënë me dije se janë zhvilluar kontrolle në banesa dhe biznese, ndërsa janë arrestuar disa persona.
Policia tha se nuk do ndalen deri sa personat e shpallur në kërkim të jenë para drejtësisë.
Lexo edhe: Talo Çela një hap para policisë, si u iku nga “duart”, a u dekonspirua operacioni në Elbasan?
“Policia është e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe për të rritur parametrat e sigurisë në qytet dhe ne gjithë vendin. Kontrollet e djeshme ishin në kuadër të masave për kapjen e personave në kërkim. Janë kryer disa kontrolle, janë shoqëruar disa shtetas dhe kjo punë do të jetë intensive dhe në vijim, deri sa persona në të kërkim të vendosen para drejtësisë.”
I pyetur nëse dështoi operacioni për kapjen e Talo Çelës, Çipa tha se hetimet janë në rrugën e duhur, pa dhënë më tepër detaje.
Pyetje: A ishte Talo Çela një person që po kërkonit dje dhe a dështoi operacioni?
Policia: Hetimet për çdo person të kërkuar janë intensive në rrugën e duhur dhe besoj se do ketë rezultate pozitive në të ardhmen në këtë drejtim.
Ditën e djeshme mes të shoqëruarve ishte edhe Klement Xhaferri, i cili ishte shpallur në kërkim nga prokuroria për ngjarjen e rëndë që ndodhi para zgjedhjeve të 25 Prillit, ku mbeti i vrarë në qytetin e Elbasanit, mjeku psikiatër Pjerin Xhuvani, i cili u ekzekutua nga badigardët e Gazment Bardhit, i cili ishte kryesuesi i listës së PD në qark./abcnews.al/