Takimi Trump-Kim, nivel ekstrem sigurie në Singapor

schedule15:22 - 11 Qershor, 2018

schedule 15:22 - 11 Qershor, 2018

3 ekipe forcash speciale do të garantojnë masa sigurie ekstreme për takimin e shumëpritur mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un. Një ndër to janë dhe disa agjentë të Nepalit që kanë marrë pjesë dhe në konfliktin e Kosovës.

Është zhvillimi kryesor politik i shekullit. Dhe për këtë kërkon masa ekstreme sigurie. Takimi i shumëpritur mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka izoluar tërësisht Singaporin, duke e bërë vendin më të sigurtë në botë, të paktën për këto ditë. Natyrisht në këtë zhvillim të rëndësishëm, Uashingtoni ka angazhuar agjentët e vetë specialë për të siguruar mbarëvajtjen dhe atë që është më e rëndësishme sigurinë e plotë të Trump.

Nga ana tjetër, edhe Kim Jong-un nuk mbetet prapa, ku agjentët e tij të sigurisë tashmë janë bërë të njohur për mënyrën e tyre të veçantë të shoqërimit të makinës së liderit suprem. Përveç ekipit të ngushtë, edhe shumë agjentë të fshehtë janë shpërndarë në zonën, ku pritet të zhvillohet takimi.

Në terren është thirrur edhe një grup i tretë për mbarëvajtjen e samitit. Singapori ka angazhuar 1800 oficerë të policisë “Gurkha”, që konsiderohen shumë të guximshëm dhe sipas traditës, “thikat e tyre duhet të provojnë gjakun kurdo që ata janë të etur”. Të armatosur deri në dhëmbë, forcat speciale njihen edhe për misionet e tyre jashtë vendit, ku vlen të përmendet pjesëmarrja në konfliktin e Kosovës. Këta 1800 oficerë do të qëndrojnë në godinën ku zhvillohet takimi, ndërsa mbi 5 mijë policë të tjerë janë angazhuar në zonën përreth./abcnews.al