Diplomatët më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u takuan të enjten duke ringjallur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Moskës në Ukrainë, e cila ka hyrë në vitin e pestë. Megjithatë, të dyja palët lanë të kuptohej se nuk pati ndonjë përparim të ri apo arsye për optimizëm.
Takimi mes sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u zhvillua në një kohë kur përpjekjet e SHBA-së për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje janë bllokuar, pasi administrata Trump ka zhvendosur vëmendjen te lufta me Iranin, dhe Kremlini nuk ka dhënë asnjë shenjë se po zbut kërkesat lidhur me luftën.
Pas takimit, i cili zgjati vetëm 35 minuta, Rubio i përshkroi bisedimet si “të mira” dhe “të sinqerta”, por tha se do të nevojiten propozime të reja, pasi idetë e mëparshme për paqe nuk kanë dhënë fryt.
Ai nuk pranoi të japë hollësi.
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të luajnë rol konstruktiv për t’i dhënë fund një lufte të pakuptimtë”, tha Rubio për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur nëse takimi kishte sjellë ndonjë përparim, Rubio hodhi poshtë pritshmëritë për përparim të shpejtë.
“Mendoni se e zgjidhëm luftën në Ukrainë gjatë 30 minutave tona këtu në Azi? Nuk funksionon kështu”, tha ai.
Më vonë, kur Radio Evropa e Lirë e pyeti Lavrovin se kur do ta ndalojë luftën Rusia, ai ose e injoroi pyetjen, ose nuk e dëgjoi.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se Lavrov shprehu pakënaqësinë e Moskës për furnizimet amerikane me armë për Ukrainën dhe akuzoi aleatët evropianë të Ukrainës për “politika destabilizuese”, të cilat synojnë një “humbje strategjike” të Rusisë.
Sipas Ministrisë, Lavrov ngriti edhe çështjen e një takimi mes presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë.
Kremlini ka këmbëngulur se Trump dhe Putin kishin arritur në Alaskë marrëveshje të rëndësishme për përfundimin e luftës në Ukrainë. Rubio dhe zyrtarë të tjerë amerikanë e kanë mohuar vazhdimisht këtë pretendim.



