Takimi Pompeo-Cavushoglu për të çtensionuar situatën mes dy vendeve

schedule19:36 - 3 Gusht, 2018

schedule 19:36 - 3 Gusht, 2018

SHBA dhe Turqia e nisën komunikimin diplomatik për të çtensionuar situatën mes dy vendeve, pas kërcënimeve reciproke me sanksione, me një takim mes dy shefave të diplomacisë në Singapor. Ministri i jashtëm turk, Cavushoglu deklaroi për mediat se dy vendet do punonin së bashku për zgjidhjen e problemeve me dialog. Edhe Pompeo ka qenë dakord, por prioritare për SHBA është lirimi i pastorit amerikan.

Pas tensioneve disa ditore mes dy vendeve, ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Cavushoglu u takua në Singapor me sekretarin amerikan të shtetit Majk Pompeo.
Në komunikimin me gazetarët pas takimit, ministri i Jashtëm turk tha Cavushoglu pranoi se mes dy vendeve mund të ketë probleme por nënvizoi se Turqia dëshiron që çështjet të zgjidhen përmes diplomacisë, dialogut e mirëkuptimit reciprok.

“Që në krye ne e kemi thënë se me gjuhë kërcënuese e sanksione, nuk arrihet asnjë rezultat e këtë e përsëritëm edhe sot, u shpreh ministri i jashtëm i Turqisë, pas takimit me Pompeon. Natyrisht, zgjidhja e këtyre krizave nuk pritet nga një takim i vetëm, por u dakordësuam që të bashkëpunojmë e të dialogojmë edhe në të ardhmen për zgjidhjen e problemeve”.

Takimi mes Pompeos e Cavushoglu u mbajt në kuadër të një forumi rajonal në Singapor, pasi Uashingtoni paralajmëroi të mërkurën sanksione kundër dy ministrave të presidentit turk Erdogan, për të cilat qeveria turke tha se do marrë masa reciproke.

SHBA kërkojnë thjesht e qartë lirimin e pastorit amerikan Endrju Brenson, në arrest shtëpie prej javës së kaluar në Turqi, pas 1 viti e gjysëm burg me akuzat për terrorizëm e spiunazh. Pastori dhe administrate amerikane i hedhin poshtë akuzat. “Me z.Pompeo duskutuam se si t’i zgjidhim problemet tona e si të marrim masa së bashku”, tha ministri i jashtëm turk, sipas të cilit, takimi me Pompeon ishte shumë konstruktiv.

Pak para këtyre deklaratave, sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo tha se sanksionet amerikane ishin prova e vendosmërisë së madhe të SHBA për të arritur lirimin e pastorit amerikan Endrju Brenson.

Departamenti amerikan i shtetit i ka kërkuar Turqisë lirimin e disa amerikanëve të burgosur atje. Përveç pastorit, edhe Serkan Golgean, një shkencëtar turko-amerikan i NASA-s, si dhe tre zyrtarë lokalë të punësuar në selitë dimplomatike amerikane në Turqi. Të gjithë janë të ndaluar, pas grushtit të dështuar të shtetit në 2016 në Turqi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!