Bojkoti i Superiores drejt fundit. Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Takimi i paralajmëruar që prej ditës së hënë në emisionin “Presssing” është zhvilluar ditën e sotme dhe tani pritet që Liga Profesioniste e Futbollit të dalë me një qëndrim zyrtar për rifillimin e kampionatit.
Ngërçi te arritja e marrëveshjes ishte Ligji i Sponsorizimit. Kryeministri Rama kishte marrë një ditë më parë një relacion nga Ministria e Financave, ku ishin propozuar dy modele të ligjit. Vetë kreu i FSHF, ka deklaruar sot pas një aktiviteti në një akademi private futbolli në kryeqytet se kryeministri Rama i ka premtuar se do të pranojnë propozimin e komunitetit të futbollit për Ligjin e Sponsorizimit.
“Kemi akademi në vende të ndryshme dhe duhet t’i mbështetim. Duhet të bashkojmë paratë me pasionin. Për këtë po luftohet, që përmes legjislacionit të gjenden ca para për të mbështetur pasionin. Pasioni nuk duhet të bëhet gropë për familjen dhe shoqërinë, por të mbështet me bazë ligjore financiarisht, Në fund të fundit është në të mirë të shoqërisë”.
“Futbolli duhet të luhet. Është i dëmshëm ndërprerja e tij edhe për vetë futbollistët. Duhet të luajmë një orë e më parë. Madje nuk duhet të ishte ndërprerë, por duhej arritur konsensus pa arritur në radikalizma. Uroj të ndodhë me ndonjë ndryshim, apo me ndonjë premtim legjislativ. Në një takim të fundit të Ligës me Ministrinë e Financave është premtuar që dy propozimet do shkojnë në qeveri.
Sot unë kam pasur një takim me kryeministrin dhe më ka premtuar që do të marrë në konsideratë propozimin tonë. Personalisht do doja të mos kishte pasur ndërprerja. Tani varet nëse presidentët e Ligës do të binden. Ligji i Sponsorizimit nuk është çështje numrash. Ai është një fond për sportin, që nuk është shumë. Sporti ka nevojë për akoma më shumë.
Absolutisht nuk do të isha dakord me propozimin e Ministrisë së Financave. Nuk prodhon para. Ka prodhuar zero për 25 vite dhe tani do prodhoje zero herë tre. Nuk mund ta marrim në konsideratë. Teorikisht prodhojnë të njëjtën shifër, por aktuali nuk është funksional. Normalisht kryeministri do të flasë me Ministrinë e Financave dhe vetë mund të dalin me ndonjë qëndrim”. /abcnews.al