Takimi me Ballën, Idrizi: Gjetëm vullnet të mirë, nuk do të kemi president të njëanshëm

schedule10:33 - 13 Maj, 2022

schedule 10:33 - 13 Maj, 2022

“PDIU e ka gjithë vullnetin të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe të luajë rolin e saj.” Kështu është shprehur para gazetarëve kryetari i kësaj partie Shpëtim Idrizi i cili bashkë me Mesila Dodën u takuan mëngjesin e së premtes me kreun e Grupit Parlamentar socialist. Taulant Balla.

Idrizi theksoi se në situatën në të cilën gjendet politika shqiptare momentalisht, është e rëndësishme që kreu i ri i shtetit të zgjidhet në mënyrë konsensuale dhe që të mos jetë i njëanshëm. Kreu i PDIU tha se në këtë takim gjetën një vullnet të mirë dhe u duk i bindur që nuk do të zgjidhet një president i njëanshëm.

“Është një detyrim kushtetues, që në tre raundet e para duhet të jetë me konsensus. E theksuam këtë gjë. Nëse zgjidhet në mënyrë të njëanshme, shërben për të zgjidhur krizën. Presidenti duhet të jetë një person, thellësisht me eksperiencë politike. Një president që mbart edhe pjesën tjetër të konsensusit do ta luante shumë mirë këtë rol. Ne gjetëm një vullnet të mirë. Nuk do të kemi një president të zgjedhur në mënyrë të njëanshme. Ramë dakord, që kemi hyrë në një proces kushtetues….Duhet të fokusohemi në emra konkretë.”

Sa i përket emrave konkretë, Idrizi tha se ishte ende herët që në këtë takim të sotëm të listoheshin emra.

“Sot nuk janë propozuar emra. Palët duhet të bashkohen tek ai president mbi palët. PDIU e ka treguar që është gjithnjë e gatshme që të takohet më të gjithë. Kemi heshtur dhe nuk fusim duart në problemet e një partie si PD. Kjo parti si aset dhe e mirë politike, është e nevojshme  për të balancuar pluralizmin.”

Pas Idrizit, Taulant Balla do të takojë në kryesinë e Kuvendit edhe kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediu. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!