Takimi konsultativ i thirrur nga Haradinaj, mungojnë disa anëtarë të koalicionit

schedule18:40 - 30 Korrik, 2019

schedule 18:40 - 30 Korrik, 2019

Jo të gjithë anëtarët e koalicionit qeverisës në Kosovë, i janë përgjigjur ftesës së kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj për një takim të përbashkët konsultativ. Munguan përfaqësues të Partisë Demokratike, më e madhja e koalicionit.

Zv.kryeministrat Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli ishin të vetmit që iu përgjigjën ftesës së kryeministrit në dorëhqeje Ramush Haradinaj për një takim konsultativ të koalicionit të deritashëm.

Kreu i PDK-së njëherësh edhe kryetar i parlamentit Kadri Veseli ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim, ndërsa në mesditë ka takuar kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK-ja, për tu mobilizuar për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në takim nuk ka marrë pjesë as zv.kryeministri Enver Hoxhaj I cili është edhe nënkryetar I PDK-së.

Pas takimit që zv.kryeministri Fatmir Limaj  tha se javën e ardhshme duhet t’i jepet epilog situatës së krijuar.

“Është më mirë të mblidhen partitë politike dhe të caktohet data e zgjedhjeve,  natyrisht edhe presidenti të kryejë detyrën e vet .Pastaj duhet të caktohet një datë e zgjedhjeve sipas marrëveshjes së partive politike”.

Derisa Presidenti ende nuk I ka ftuar partitë e mëdha për konsultim, ai sot ka takuar përfaqësuesit e  partive të minoriteteve KDTP-së dhe ata të VAKAT me të cilët ka biseduar për zhvillimet politike pas dorëheqjes së kryeministrit.

Ndërkohë mbledhje sot ka mbajtur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Raporti: Blerta Dalloshi Berisha

Kamera: Visar Kryeziu