TIRANË- Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me grupin parlamentar dhe drejtuesit politikë, ku ka prezantuar një dokument të ri strategjik për organizimin e partisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se mbledhja përbën vazhdimin e diskutimeve të zgjeruara mes grupit parlamentar dhe qeverisë, me fokus rolin që duhet të marrë Partia Socialiste në fazën e re të qeverisjes në mandatin e katërt.
Ai bëri të ditur se, krahas dokumentit strategjik “Besa”, drejtuesve u është shpërndarë edhe një dokument i dytë me titull “Prania Besnike”, të cilin e cilësoi si aneks të dokumentit të parë.
Sipas Ramës, “Prania Besnike” i adresohet ekskluzivisht Partisë Socialiste dhe synon ta vendosë atë në funksion të objektivave të mandatit të katërt qeverisës.
“Ky është vazhdimi i mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe të kabinetit qeveritar, për të nisur një diskutim së bashku rreth dimensionit të partisë në fazën e re ku ka hyrë vendi dhe ku kemi hyrë edhe ne si shumicë qeverisëse.
Dokumentin strategjik ‘Besa’ e keni tashmë në dorë. Ky dokumenti tjetër, që është këtu dhe që e ndaj me ju sot për një diskutim të brendshëm, quhet “Prania Besnike” dhe është aneksi i dokumentit të parë.
“Prania Besnike” i adresohet vetëm partisë, me synimin për ta vendosur atë në funksion të kthesës së mandatit të katërt. Sot dua të flas për makinerinë tonë të partisë”, tha ai./abcnews.al


