Takimi Kim-Putin, shans për të zgjeruar ambiciet

schedule23:08 - 24 Prill, 2019

schedule 23:08 - 24 Prill, 2019

Në takimin me presidentin Putin, lideri koreano-verior Kim Jong Un mund të ketë përpara një mundësi të artë për të shtrirë interesat e tij diplomatike dhe ekonomike. Kim mund të përpiqet të ulë ndikimin e Uashingtonit në bisedimet për çështjen bërthamore dhe varësinë ekonomike nga Kina, i vetmi partner tregtar i Koresë së Veriut.

Kim Jong Un dhe Vladimir Putin takohen për herë të parë të enjten, por nuk kanë në plan të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje, apo të bëjnë ndonjë deklaratë të përbashkët. Vizita e liderit koreano-verior në fqinjin verior vjen në një kohë kur bisedimet mes Penianit dhe Uashingtonit për çarmatosjen bërthamore kanë ngecur.

Takimi i Hanoit mes Donald Trump dhe Kim përfundoi pa një marrëveshje, me dy palët që kishin qëndrime të kundërta në lidhje me sanksionet amerikane, lehtësimi i të cilave do të ishte një hap përpara në çarmatosjen bërthamore.

Tani, analistët spekulojnë se takimi i Kim me Putin mund të jetë një mënyrë për liderin e vendit aziatik të parashtrojë opsionet e tij diplomatike jashtë panelit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara.

Sipas CNN, Peniani mund të shpresojë për mbështetjen e Rusisë në presionet ndaj Uashingtonit për të lehtësuar sanksionet, për të cilat Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se do të hiqen vetëm atëherë kur Korea e Veriut të heqë dorë nga programet bërthamore.

Gjithashtu, Peniani mund të kërkojë të zbusë vartësinë ekonomike nga Pekini, i vetmi partner tregtar i Koresë së Veriut. Në reagimin e tyre, Shtetet e Bashkuara nuk janë shprehur të shqetësuara nga takimi Kim-Putin.

“Amerika dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar për të njëjtin qëllim: çarmatimin e plotë dhe të verifikueshëm të Koresë së Veriut”, ka deklaruar një zëdhënës.

Kim Jong Un mbërriti në Vladivostok të Rusisë paraditen e së mërkurës, në bordin e trenit të tij të blinduar, i shoqëruar nga një dyzinë truprojash./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!