Takimi Bushati-Kotzias në Tiranë pas autorizimit të grupit negociator

schedule14:53 - 29 Mars, 2018

schedule 14:53 - 29 Mars, 2018

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, nuk ka komentuar njoftimin e mediave greke për shtyrjen e vizitës së kryeministrit Tsipras në Shqipëri. Ai ka thënë se ende po punohet për atë takim, ndërsa sot ka pritur në Tiranë homologun grek Kotzias.

Siç njoftoi në faqen zyrtare Ministria e Jashtme greke, ka mbërritur në mesditë në Tiranë ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias për një takim me homologun e tij Ditimir Bushati.

Takimi vjen një ditë pasi mediat greke njoftuan anulimin e vizitës se kryeministrit Tsipras në Shqipëri për shkak të çështjeve ende të pazgjidhura mes dy vendeve.

I pyetur lidhur me takimin, ministri i Jashtëm Bushati, i cili u largua më herët nga punimet në seancën plenare për të pritur homologun grek edhe pse dikasteri që drejton nuk kishte lajmëruar zyrtarisht takimin, në dalje nuk komentoi anulimin e vizitës, por foli për vijimin e punës në organizimin e tij.

Ditmir Bushati: “Punojmë edhe për takimin e nivelit të lartë, pra për takimin e dy kryeministrave”.

Disa minuta zgjati takimi kokë më kokë, i cili vijoi me një drekë zyrtare. Pas vizitës që zgjati tre orë, Ministria e Jashtme nuk dha detaje se për çfarë ishte diskutuar, por njoftoi dakordësimin për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në muajt e ardhshëm për avancimin në gjetjen e zgjidhjeve të mirëpranuara për çështjet në diskutim si dhe finalizimin e dokumentit të partneritetit strategjik, që do të nënshkruhet nga dy kryeministrat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!