Ditën e djeshme u luajt java e 11-të e Kategorisë Superiore, ku spikatën ndeshjet Teuta-Tirana dhe Partizani Kukësi. Ish-futbollisti dhe opinionisti Ermal Tahiri bën pasqyrën e tij në emisionin Pressing në ABC. Tahiri ka kritika për drejtorin e Partizanit, Olsi Rama dhe kampionët në fuqi, Tiranën.
“Vllaznia nuk të bën më përshtypje. Po luan shumë mirë dhe ka krijuar stabilitet. Është me meritë në vend të parë. Më bën përshtypje shkëputja e Skënderbeut dhe Apolonisë. Duhet të rriten edhe ata që të ketë rivalitet, që të mëdhatë të mos fitojnë lehtë ndaj tyre.
Kukësi ka lojtarë që të gjithë duan të kenë topin. Mbrojtja e Kukësit dihej se do ishte problematike sepse u larguan të gjithë. Gega e ka thënë qartë se ekipi do përforcime në të gjitha repartet.
Më bëri përshtypje që drejtori Rama tha që presim më shumë nga skuadra. Ky kualitet është, ato lojtarë janë dhe u është marrë maksimumi. Duhet të jenë me këmbë në tokë. Deri këtu është bërë mirë te Partizani. Ka probleme në mbrojtje, kanë pak lojtarë në difensivë.
Gabimet e Kukësit në rreshtim në golin e parë dhe golin e tretë, ishin fatale. Te boshllëku dhe dalja e sulmuesve të Kukësit ishte gjithashtu nga hapësirat e lëna nga mbrojtja e Partizanit. Në momentin kur të “prishet” katërshja e mbrojtjes do të shohim problemet e Partizanit.
Tirana duhet të ketë një strategji të caktuar. Nuk ka një 11-she stabël. Në qoftë se ka një strategji për të aktivizuar të rinj, e pranojmë. Tirana nuk është ajo që ta kenë frikë kundërshtarët. Nuk mendoj se Teuta duhet të barazonte me ta.
Nëse Tirana nuk do shënonte në fillim, nuk do shkonte kështu. Teuta ushtroi shumë presion. Tirana duhet të zgjedhë strategjinë, në 11 ndeshje ka shënuar vetëm 11 gola. Në fund e mbyti Teuta, ushtroi shumë presion ndaj Tiranës. Muçit po i japin shumë peshë dhe ndoshta e dëmtojnë”, u shpreh Tahiri. /abcnews.al