Saimir Tahiri foli për të gjithë politikanët në ditën që vendosi të dorëzojë mandatin e deputetit. Pa komente dhe të ftohtë janë treguar kolegët e tij socialistë. Vetë kryeministri i ka dalë në krah duke e qetësuar se nuk e pengon ish-ministri i tij integrimin e vendit.
Edi Rama: “Në kancelarinë gjermane tha se pa u futur në burg Saimir Tahiri na paska thënë Gjermania s’paska të ardhme për Shqipërinë. Ndërkohë që pjesa e vetme e diskutimit në komisionin e Bundestagut për të shpjeguar lidhur me Shqipërinë ishte pjesa, ku gjermanisht unë dëgjova ato që kemi degjuar këtu shqip katër vjet. Sepse është normale për një grup parlamentarësh në Gjermani dhe në Europë, është shumë e vështirë të arrijnë në atë nivel kuptimi që duhet të ketë një i huaj kur ndeshet me baltën e eksportuar nga Tirana. Është shumë e vështirë të arrijë në taë nivel kuptimi, duke qenë edhe një grup miqësh të tyre që besojnë se këta janë baba i rrenës dhe nona e shpifjes”.
Të njëtin mendim ka dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Evropa nuk do kokën e Tahirit por të Ramës, deklaroi ai.
Sali Berisha: “Ftoj qytetarët të lexojnë zhvillimet më interesante në fushën e psikologjisë janë kualifikimi i liderëve të tipit Edi Rama, me të gjithë problemet psikike që ka, në kategorinë e liderëve toksikë. Liderë pra që shpërndajnë helmim në ambientin ku jetojnë nga mëngjesi deri në darkë, dhe një gjë të tillë e bën vetëm Edvin Kristaq Rama, i cili përpiqet me çdo kusht të mbijetojë, ndonëse i damkosur ai nuk kupton se bota nuk po kërkonte kokën e Saimir Tahiri, po kërkon në të katër anët dorëheqjen e Edi Ramës. Edi Rama është pengesa kryesore drejt BE, Edi Rama është gjeneratori i rekordeve më të zeza të Shqipërisë”.
Më shumë detaje jep kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi për prapaskenat që e detyruan sipas saj të dorëzojë mandatin ish ministri Tahiri.
Monika Kryemadhi: “Tashmë bërja kurban vetëm për dy orë e Sajmir Tahirit tregon akoma dhe më shumë që sistemi i drejtësisë, prokuroria shqiptare janë jo vetëm të kapura, por janë instrumente në duart e Edi Ramës”.
Ai që ka vendosur t’i përgjigjet drejtpërdrejtë dhe shkurt kritikës së Saimir Tahirit është pasardhësi në ministrinë e Brendshme, Fatmir Xhafaj.
Fatmir Xhafaj: “Nuk kam koment sot dhe nuk i heq gjë atyre që kam thënë deri më sot”.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist zgjodhi të flasë në tokë neutrale duke përsëritur qëndrimin e vjetër të Partisë Socialiste.
I fundit që ka reaguar është kryetari i Partisë Demokratike që mungoi në seancën parlamentare. Loja Rama –Tahiri vazhdon shkruan Lulzim Basha në Facebook.
“Saimir Tahirit nuk i duhet imuniteti parlamentar përsa kohë ai shantazhon kryeministrin me aferat e tij korruptive dhe lidhjet kriminale të familjes së tij. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë një subjekt i vetëm, kur bëhet fjalë që Tahiri të dalë përpara drejtësisë: nëse Tahiri del para drejtësisë, Edi Rama del para drejtësisë. Nëse Saimir Tahiri është i lirë, Rama është i lirë”.
Por sipas kreut demokrat një gjë është e sigurtë, dorëzimi i mandatit të Tahirit nuk e shpëton Edi Ramën./abcnews.al