Taksa progresive nuk zvogëlon hendekun social dhe nuk shpërndan të ardhurat në mënyrë efiçente. Studimi vjen nga Banka Botërore dhe për nënkryetaren e komisionit të ekonomisë rrëzon zyrtarisht premtimin kryesor, me të cilin Rama erdhi në pushtet se me taksën progresive, 97% e shqiptarëve do të paguajnë më pak.
Jorida Tabaku: “Sipas të dhënave të publikuara, numri i të varfërve që jetojnë me më pak se 2.5 USD në ditë është rritur me rreth 7 mijë si rezultat i taksës progresive. Por, sipas Bankës Botërore, efektin më të madh negativ kjo taksë e ka pasur tek individët apo familjet që jetojnë me 4 USD në ditë, duke prodhuar edhe më shumë varfëri tek ata, të cilët e ndjejnë më shumë rritjen e taksave”.
2 miliardë dollarë taksa më shumë paguajnë shqiptarët në 5 vitet e fundit, por këto para përkthehen në fitime për koncesionarët klient të qeverisë, theksoi Tabaku.
Jorida Tabaku: “Për shkak të rritjes së taksave, sot shqiptarët paguajnë për karburantin çmimin më të lartë në rajon,
• Çmimi i energjisë është rritur, me 24 përqind për 75 përqind të konsumatorëve
• Çmimi i ujit është rritur me 40 përqind dhe pritet që të rritet sërish,
• Bizneset e vogla janë futur në skemën e TVSH-së, ndërsa miqtë oligarkë të kryeministrit, për llogari të të cilëve shqiptarëve po u grabitet prona me vendim qeverie, janë përjashtuar nga TVSH-ja. Nga ana tjetër, është rritur tatimi për të ardhurat personale deri në 23 përqind dhe tatimi mbi fitimin, në 15 përqind”.
Rritja e ndjeshme e taksave, dështimi në mbledhjen e të ardhruave dhe mungesa në investime janë politika të dështuara të evidentuara edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, theksoi Tabaku, duke ofruar alternativën blu.
Jorida Tabaku: “Ne mendojmë që rruga e vetme për të shpëtuar ekonominë dhe mbi të gjitha për të nxjerrë vendin nga moçali i varfërisë ekonomike, është taksa e sheshtë”./abcnews.al