Tabaku–Ahmetaj përplasje në rrjetet sociale

schedule14:56 - 23 Shtator, 2018

schedule 14:56 - 23 Shtator, 2018

Tatimet kanë përplasur në rrjetet sociale deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Koncesioni në sistemin e tatimeve sipas deputetes sëopozitës është korruptiv.

Ndërkohë Tabaku thotë se katër vjet më parë, ministri Ahmetaj gënjente shqiptarët se koncesioni kishte zero kosto shtesë për biznesin, më pas, se nuk janë lekët e shqiptarëve, por të buxhetit të shtetit.

“Çfarë e shtynte zotin Ahmetaj të bëhej gazi i botës? Formula magjike e kryeministrit Rama? “Nuk ka supë qyl në karrigen e ministrit!” Kështu sharlatanët janë turrur kush e kush gënjen më shumë dhe më paftyrësisht për të ruajtur karrigen dhe për të bërë dallaveren e radhës”, shkruan deputetja e Partisë Demokratike.

Pas deklaratës së deputetes së opozitës ka reaguar ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

“Dje një duet i dobët përçartjeje publike, sot një solo për të ardhur keq. Eshtë e kotë t’iu përgjigjesh për çdo budallallëk! Nuk ka koncesion zonjë! Por si duket ju dhe partia juaj ia keni koncesionuar mendjen paditurisë”, shkruan ministri Ahmetaj në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Qeveria thotë ministri i Financave dhe Ekonomisë mbetet e vendosur të çojë përpara reformat si ulja e mëtejshme e ngarkesës fiskale për biznesin e qytetarët.