Mbrëmjen e nesërme Italia sfidon Anglinë në finalen e Kampionatit Europian. Para kësaj sfide në konferencë për mediet foli kapiteni i të kaltërve, Giorgio Chiellini, që tha gjithçka dhe nuk kurseu as shakatë.
“Anglia nuk është Spanja, ato kanë karakteristika shumë të ndryshme. mendoj se në këtë finale kanë arritur dy ekipet që luajtën më mirë në këtë kompeticion. Mjafton të shihni rezultatet dhe sesa solida janë fizikisht dhe bindeni. Southgate i ka organizuar mirë.
Ata nuk qarkullojnë topin si spanjollët, por janë të fortë dhe kanë pësuar vetëm një gol, edhe ai nga goditja e dënimit. Ata kanë treguar se janë një ekip që rrinë duarkryq dhe ia lënë terrenin kundërshtarit, por gjithashtu kanë breshëri energjie, që të bën dëm në çdo moment.
Nuk mund të bësh gjë në një finale ndaj Anglisë në “Wembley” pa pasur një zemër të zjarrtë dhe një mendje të ftohtë. Duhet të jemi agresivë, të mprehtë, të guximshëm dhe ta kemi situatën nën kontroll. Do sigurohemi ta shijojmë këtë finale sepse nuk e dimë kur do na vijë sërish rasti.
Pas fitores së thellë ndaj Çekisë në miqësore, morëm një ndjenjë pozitive dhe besuam se mund ta arrinim finalen. Gjithashtu ne kemi një kuzhinier të shkëlqyer këtu. Roberto Mancini di t’i përziejë mirë përbërësit. Ende e mbaj mend herën e parë kur u përballa me Kane.
Ishte një miqësore mes Italisë dhe Anglisë dhe ai menjëherë më bëri përshtypje me cilësitë e tij. Është i mirë në lojën në ajër, duke mbajtur topin, me asiste, duke shënuar gola, madje edhe me goditjet e dënimit. Mund të pyesni drejtorin Paratici sesa herë kam biseduar me të për Kane gjatë këtyre viteve.
Kane dhe Sterling nuk janë aq të rinj, vetëm se ne jemi me të vërtetë të moshuar! Ata gjithashtu kanë mjaft përvojë. Secili ka karakteristikat e veta. Nëse filloj një garë sprint me Sterling, dyshoj se do ta kisha mundur ndonjëherë, por në situata kur të dy po shkojmë për topin, mund ta fitoj më shumë se ai.
Mendoj se Anglia do kishte shkuar në finale edhe me lojtarët e stolit. Për fat të mirë, është një sport ekipor dhe kështu nuk ka të bëjë vetëm me mua kundër Kane ose Sterling, por lojtarët do punojnë me njëri-tjetrin”, u shpreh Chiellini. /abcnews.al