Leku vijon te mbizotërojë ndaj valutave të huaja. Në kursin zyrtar të këmbimit si euro dhe dollarë kanë humbur pikë ndaj monedhës kombëtare.
Një euro tashmë po këmbehet me 95 lekë ndërsa pritshmëritë janë që të dobësohet edhe më tej. Agjentët e tregut valutor parashikojnë që monedha europiane do të vijojë të qëndroj e dobët përballë lekut pasi tashmë pritet shtim i turistëve të huaj ndërsa tregu vazhdon të karakterizohet nga një gjendje e bollshme e valutës, ndërsa kërkesa për të është e dobët.
Sipas Bankës së Shqipërisë Leku vijoi të forcohet gradualisht në tremujorin e parë, ndërsa tregu valutor vijoi të shfaqet i qetë gjatë kësaj periudhe. Në dy muajt e parë të këtij viti, kursi eur/lek u luhat në një interval të ngushtë, duke shënuar mesatarisht 96.5 lekë, sa edhe në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Presionet mbiçmuese u forcuan sidomos gjatë muajit mars, ku 1 euro u kuotua mesatarisht me 96 lekë. Por nëse shohim të dhënat mbiçmimi vjetor u rrit në 3.2%, nga mbi 2% në dy muajt e parë të vitit.
Tendenca forcuese e lekut vijoi edhe përgjatë muajit prill e po ashtu edhe në maj periudhë ku kursi euro-lek zbriti në rreth 95 lekë një euro, me një forcim vjetor të Lekut prej 3.4%.
Po ashtu edhe ecuria e kursit ndaj dollarit amerikan ka qenë e luhatshme në tremujorin e parë, por kryesisht në favor të mbiçmimit të Lekut, duke reflektuar ecurinë e monedhës amerikane në tregun ndërkombëtar. Ndërkohë, gjatë muajit mars, dollari amerikan u forcua në tregun ndërkombëtar, si rrjedhojë e përshkallëzimit të konflikteve në Lindjen e Mesme, duke sjellë rritjen e kursit usd/lek në 83.1 në këtë muaj.
Mbiçmimi vjetor i Lekut ndaj Dollarit mbeti i lartë, në mesatarisht 12.6% në tremujorin e parë. Në javët e para të muajit prill, kursi usd/lek i është rikthyer rënies, duke rezultuar mesatarisht 81.8 lekë/usd, ose 7.4% nën nivelin mesatar të prillit të kaluar.
/abcnews.al/


