Superiorja rikthehet me dy përballje, klasiken e futbollit shqiptar dhe një tjetër që dikur ta kishte ënda të shihje. Tirana dhe Vllaznia janë gati të zbresin në fushë, prej orës 17:00, kur edhe do të japin maksimumin për të marrë pikët e plota.
Rezultatet e ndeshjeve të fundit nuk kanë qenë të dëshiruara dhe tani kërkohet autokritika. Tirana synon të fitojë dhe të vënë në presion Kukësin, që luan nesër një transfertë të vështirë në Laç. Nga ana tjetër Vllaznia do të kënaqej edhe me një pikë dhe deri në fund do tentojë t’i largohet vendit të tetë, që të mos luajë në “play-out”.
Takimi tjetër luhet në Vlorë, mes Flamurtarit të vendit të fundit dhe Partizanit kampion në fuqi. Kurorën të kuqtë e kanë dorëzuar tani, por duan të shpëtojnë sezonin me pjesëmarrjen në kupat e Europës. Pas goleadës me Luftëtarin, tani është momenti për të mundur Flamurtarin dhe për të parë nga vendet e sipërme të klasifikimit. /abcnews.al