E diel futbolli e sotmja edhe në vendin tonë. Tre ndeshje luhen në Kategorinë Superiore, teksa në orën 13:45 rezervohen dy sfida. Kukësi luan si pritës në “Elbasan Arena” ndaj Bylisit.
Verilindorët vijnë nga një fitore ndaj Apolonisë në javën e fundit dhe duan të zyrtarizojnë daljen nga kriza sot në një sfidë, ndaj Bylisit, që iu dorëzua Vllaznisë vetëm në minutën e fundit javën e fundit.
Në të njëjtën orë, Skënderbeu pret Apoloninë në një duel mes vendeve të fundit. Vetëm një pikë i ndan dy ekipet në renditje, teksa deri më tani krijohet ideja se ata janë dy skuadrat më të brishta të këtij sezoni.
Në orën 16:45 zbresin në fushë kryesuesit e kampionatit, Vllaznia. Shkodranët presin Kastriotin, një kundërshtar agresiv dhe kompleks, që në momente të veçanta di të bëjë dëme të mëdha. /abcnews.al