Sulmi me gaz nervor që ndodhi para tre muajsh në Sulisbury të Britanisë së Madhe, ku u helmua një ish-spiun rus dhe vajza e tij, i ka kushtuar policisë 7.5 milionë paund.
Komisioneri i Krimit dhe Policisë në rajon, Angus Macpherson, e cilësoi operacionin policor si një nga më të mëdhatë në Angli pasi përfshiu edhe 40 institucione të tjera britanike. Sipas Macpherson, kostoja financiare lidhur me këtë çështje mund të rritet ende. Ai e cilësoi si një “operacion kombëtar, i cili duhet për kombin”.
Më 4 Mars të këtij viti, ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia, u helmuan me gaz nervor në Sulisbury. Nga sulmi u helmua edhe Nick Bailey, i cili ishte një prej oficerëve të parë që mbërriti në vendin e ngjarjes. Ata u dërguan në spital, ndërsa tani mësohet se të gjithë kanë dalë dhe shëndeti i tyre është përmirësuar ndjeshëm.
Pas ngjarjes, qeveria britanike akuzoi Rusinë që qëndronte pas sulmit, ndërsa Moska i mohoi akuzat. Klima midis dy vendeve vazhdoi të ishte e tensionuar për një kohë të gjatë, derisa Britania dëboi disa diplomatë rusë.
Nismës së saj iu përgjigjën edhe një sërë vendesh perëndimore, duke përfshirë SHBA-të, Gjermaninë, Francën dhe Shqipërinë gjithashtu, ndërsa edhe Rusia u kundërpërgjigj ndaj këtyre vendeve, duke dëbuar diplomatë./abcnews.al