Sulmi ndaj konsullatës iraniane dhe rreziku i zgjerimit të luftës

schedule12:35 - 2 Prill, 2024

schedule 12:35 - 2 Prill, 2024

SHBA e ka siguruar Iranin se nuk ishte i përfshirë apo kishte ndonjë njohuri paraprake për një sulm izraelit në konsullatën në Siri, duke cituar një zyrtar amerikan, ndërsa shqetësimi ndërkombëtar për zhvillimet në Lindjen e Mesme rritet.

Garda Revolucionare e Iranit ka njoftuar se shtatë nga oficerët e tyre janë vrarë në një sulm izraelit në konsullatën iraniane në kryeqytetin sirian, Damask.

Gjenerali Mohammad Reza Zahedi, një komandant i lartë i Forcave Quds, dhe gjeneral brigade Mohammad Hadi Haji-Rahimi, zëvendësi i tij, ishin në mesin e viktimave,

Qeveritë e Iranit dhe Sirisë dënuan atë që ata thanë se ishte një sulm “i paprecedentë”, i cili shkatërroi ndërtesën e konsullatës pranë ambasadës iraniane.

“Sulmi i Izraelit nuk do të mbetet pa përgjigje,” tha të martën presidenti iranian Ebrahim Raisi.

Ndërkohë, mbështetësit e qeverisë iraniane protestuan , duke kërkuar hakmarrje ndaj Izraelit.

 “Mesazhi” nga Izraeli

Ushtria izraelite njoftoi të hënën, se nuk komenton raportet e mediave të huaja.

Por ajo ka pranuar se ka kryer qindra sulme në vitet e fundit në objektiva në Siri, për të cilat thotë se janë të lidhura me Iranin dhe grupe të armatosura, financuara dhe trajnuar nga Garda Revolucionare.

Sulmet izraelite janë intensifikuar që nga fillimi i luftës në Gaza tetorin e kaluar si përgjigje ndaj sulmeve ndërkufitare në veri të Izraelit nga Hezbollahu dhe grupe të tjera të mbështetura nga Irani në Liban dhe Siri

Por sulmi i së hënës do të perceptohet si një përshkallëzim serioz. Izraelitët duket se po testojnë vendosmërinë e iranianëve dhe aleatëve të tyre duke dërguar mesazhin se ata janë të vendosur të rrisin presionin ndaj armiqve të tyre.

Ministria siriane e Mbrojtjes njoftoi se avionët izraelitë shënjestruan ndërtesën e konsullatës iraniane, në një lagje perëndimore të Damaskut, rreth orës 17:00 me orën lokale.

Mbrojtja ajrore siriane rrëzoi disa nga raketat e lëshuara, por të tjera shkatërruan të gjithë ndërtesën, duke vrarë dhe plagosur të gjithë brenda, shtoi ministria.

Ministria tha gjithashtu se përpjekjet për të nxjerrë trupat dhe për të shpëtuar të plagosurit nga rrënojat po vazhdojnë, pa specifikuar numrin e viktimave dhe pa përmendur asnjë prej tyre.

Fotot dhe videot nga vendi i ngjarjes tregojnë tym dhe pluhur që ngrihej nga rrënojat e ndërtesës së lartë të shembur.

Garda Revolucionare më vonë lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se oficerët e tyre ishin vrarë, duke përfshirë gjeneral brigade Mohammad Reza Zahedi dhe gjeneral brigade Mohammad Hadi Haji-Rahimi , të cilët i përshkroi si komandantë dhe “këshilltarë të lartë ushtarakë”.

Mediat iraniane raportuan se Zahedi, 63 vjeç, ishte një zyrtar i rangut të lartë në Forcat Quds, e cila është inteligjenca e huaj dhe krahu paraushtarak i Gardës në Liban dhe Siri.

Roli i tij ka qenë vendimtar për marrëdhëniet e Teheranit me Hezbollahun dhe presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad. Zahedi ishte sanksionuar nga SHBA që nga viti 2010.

Ai kishte shërbyer si kreu i forcave ajrore dhe tokësore të Iranit.

Zahedi, “ndër figurat më të larta iraniane”, shihet nga Teherani si një viktimë tjetër e një fushate të gjatë atentatesh në shënjestër të orkestruara nga agjencitë izraelite.

Ambasadori iranian, Hossein Akbari, tha se avionët luftarakë izraelitë F-35 “shënjestruan brutalisht vendbanimin tim dhe seksionin konsullor të ambasadës, së bashku me atashetë ushtarakë të Iranit”.

Reagimet ndaj Sirisë dhe Iranit

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Faisal Mekdad, tha se ai dënon “sulmin e tmerrshëm terrorist “, duke shtuar se ai kishte çuar në vdekjen e njerëzve të pafajshëm.

Në një bisedë telefonike me Mekdadin, Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian e quajti sulmin shkelje të të gjitha detyrimeve dhe konventave ndërkombëtare  dhe fajësoi për pasojat e këtij veprimi regjimin sionist , siç raportohet nga Ministria e Jashtme iraniane.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për një reagim serioz nga komuniteti ndërkombëtar.

“Benjamin Netanyahu e ka humbur plotësisht durimin për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme në Gaza dhe për shkak të dështimit për të arritur qëllimet e tij sioniste”, tha ministri i jashtëm iranian.

Ambasadori i Iranit në Siri, Hossein Akbari,  foli për reagimin e Iranit ndaj sulmit “të së njëjtës madhësi dhe mizori” .

Akbari, i cili punonte në ndërtesën e ambasadës në kohën e sulmit, u zotua se Irani do të vazhdojë të mbështesë palestinezët në Gaza dhe se ai nuk kishte frikë nga qeveria izraelite.

OKB nga ana tjetër, shprehu shqetësimin e saj të thellë për sulmet në një deklaratë. Në janar, një tjetër sulm në të njëjtin distrikt të Damaskut, për të cilin fajësohet gjithashtu Izraeli, pesë oficerë të lartë të Gardës Revolucionare u vranë dhe disa anëtarë të shërbimeve siriane të sigurisë.

Izraeli ka pranuar se ka kryer bastisje në Siri për të shkatërruar, siç thotë ai, dërgesat e armëve iraniane për grupet e mbështetura nga Teherani që i ka cilësuar si terroriste.

Irani ka theksuar se Garda Revolucionare është dërguar në Siri për të “këshilluar” forcat e presidentit Bashar al-Assad në luftën civile të vendit, por ka mohuar se ato janë përfshirë në luftime ose kanë krijuar baza.

Cilat do të jenë pasojat e mundshme

Sulmi shënon një përshkallëzim në shënjestrimin e zyrtarëve ushtarakë nga Izraeli në Iran, i cili siguron para dhe armë për grupet që luftojnë Izraelin në Gaza dhe përgjatë kufirit të tij me Libanin.

Por analistët duken të dyzuar nëse diçka e tillë do të shkaktojë luftë rajonale. John Alterman i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington e quajti atë një sulm “parandalues”.

“Izraelitët janë të bindur se nëse tërhiqen, kërcënimi do të rritet, jo do të ulet,” tha ai, duke shtuar: “Ata janë të bindur se për aq kohë sa e bëjnë këtë në mënyrë periodike, kundërshtarët e tyre do të zmbrapsen “.

Nga ana e tij, Irani, i cili ndjen nevojën për t’u përgjigjur, dëshiron të shmangë zvarritjen në një konflikt të hapur dhe të gjithanshëm me Izraelin.

Uashingtoni gjithashtu kërkon të parandalojë një konflikt të tillë. Edhe pse SHBA e ka listuar Quds si një organizatë terroriste, diplomatët amerikanë nuk duan një luftë midis Iranit dhe Izraelit.

Megjithatë, Stephen Cook, një analist në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington, vuri në dukje se ekziston rreziku i një përshkallëzimi edhe më të madh.

“Irani mund të lehtësojë kufizimet ndaj përfaqësuesve të tij në Irak dhe Siri, duke i vënë sërish në rrezik forcat amerikane”, tha ai, duke shtuar: “Iranianët gjithashtu mund ta nxisin Hezbollah që të përshkallëzojë sulmet e tij ndaj Izraelit, gjë që po bëhet gjithnjë e më e guximshme”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir Abdollahia , tha në një postim në rrjetin social X se Irani thirri ambasadorin zviceran pas mesnatës me orën lokale dhe kërkoi që t’i jepet një mesazh i rëndësishëm Uashingtonit, se si aleati i Izraelit, SHBA duhet të përgjigjet  për veprimet e tij.

Zvicra vepron si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara në mungesë të marrëdhënieve diplomatike midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Ndërkohë, zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari  tha se një sulm me dron në një bazë detare në jug të Izraelit dje të hënën ishte “nisur nga Irani” pa shkaktuar viktima.

Më herët të martën, ushtria izraelite njoftoi gjithashtu se një lloj arme e përdorur nga Siria në drejtim të Izraelit u rrëzua përpara se të gjente objektivin e saj.

Teherani tashmë ka premtuar se do të hakmerret, por se si mbetet për t’u parë, me analistët që madje flasin për një sulm kibernetik dhe jo për një sulm raketor, pasi Irani është i detyruar të kërkojë një përgjigje “të balancuar”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!