Sulmi ndaj gazetares/ Policia e Prokuroria e Tiranës, grup të posaçëm hetimi

schedule15:12 - 31 Gusht, 2018

schedule 15:12 - 31 Gusht, 2018

Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala, policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës ka ngritur një grup punë për të zbardhuar atentatin.

Sipas uniformave blu, më 30 gusht 2018, rreth orës 06:40 minuta, Policia e Tiranës u njoftua se në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, ishte qëlluar  në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala.

Për pasojë është dëmtuar fasada ballore dhe dera hyrëse e banesës. Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e gazetares Lala,dy vajzat e saj, vëllai, dhe dy miq të afërm të familjes.

Mëngjesin e së premtes gazetarja Lala dha dëshminë e saj në Prokurorinë e Tiranës në kuadër të hetimeve që kanë nisur për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.Për mbi 3 orë, Lala i qëndruar faktit se sulmi me armë mbi banesën e prindërve të saj është bërë për shkak të punës si gazetare, pasi nuk ka asnjë konflikt tjetër, as Lala dhe as familjarët e saj që ndodheshin në banesë në momentin e sulmit.

Deklaratë e përbashkët e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës

Në lidhje me veprimet e kryera për ngjarjen e ndodhur  në orët e para të mëngjesit të datës 30 Gusht 2018, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala, i ati i gazetares Klodiana Lala, informojmë se:

Në datë 30 gusht 2018, rreth orës 06.40 minuta, Policia e Tiranës u njoftua se në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, Tiranë persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit. Për pasojë është dëmtuar fasada ballore dhe dera hyrëse e banesës. Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e gazetares, vëllai, dy fëmijët e gazetares dhe dy miq të afërm të familjes. Personat brenda banesës nuk kanë pësuar dëmtime.

Në lidhje me këtë ngjarje, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm  hetimor  me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga ana e grupit hetimor janë kryer veprimet procedurale në vendin e ngjarjes si dhe janë kryer një sërë veprimesh me metoda speciale të hetimit për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor po vijon me intensitet maksimal  veprimet hetimore dhe procedurale, por për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!