Liverpool më në fund arriti t’a fitojë Premier Leaguen, ku sigurisht rol thelbësor kishte dhe reparti i sulmit. Sadio Mane, Mohamed Salah dhe Roberto Firmino shkëlqyen këtë sezon nën drejtimin e Jurgen Kloppit. Normalisht si çdo fund sezoni zërat e merkatos shtohen, ku për treshen e sulmit të “The Reds” interesohet Real Madridi. Megjithëatë ka qenë ish-sulmuesi, Nicolas Anelka, i cili ka këshilluar lojtarët që të vazhdojnë të qëndrojnë në “Anfield Road”.
“I pëlqej që të tre ata, sidomos Firminon, i cili është edhe çelësi i suksesit për Manen dhe Salahn. Për mendimin tim këtë të fundit janë ndër pesë lojtarët më të mirë në botë për momentin. Ata i kanë të gjitha kualitetet për të luajtur me Real Madridin, por nuk kanë pse të transferohen në Madrid. Sot Liverpool i ka mundësitë për t’a konkuruar Realin dhe më e mira për ta do të ishte qëndrimi në Premier League”, deklaron francezi, i cili dështoi në aventurën e tij madrilene.
“Lojtarët dhe stafi duhen të jenë krenar për titullin e fituar. Më vjen shumë keq që qëlloi në kohë pandemie dhe që lojtarët nuk mund t’a festojnë dot me tifozët, por jam i sigurt që ata do t’a bëjnë sapo situata të normalizohet. Jurgen Klopp është një gjeni i vërtetë. Mënyra se si ai punon me lojtarët është fantastike. Liverpool do të jetë kompetitiv për shumë vite. Gjermani e ktheu ekipin në vendin ku i takonte”, mbyll Anelka për “Liverpool Echo”. /abcnews.al



