Nëntë persona kanë mbetur të plagosur pas sulmeve me dron në rajonin jugperëndimor të Belgorod të Rusisë gjatë natës, tha guvernatori i saj të mërkurën, një ditë pasi një grup rusësh anti-Putin pretenduan se kishin nisur një sulm atje.
Guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se e marta nuk ishte një e qetë për Belgorodin, i cili kufizohet me Ukrainën, pasi makinat, shtëpitë dhe ndërtesat u dëmtuan nga sulmet me dron.
Megjithatë, Gladkov tha se mbrojtja ajrore ruse kishte shkatërruar shumicën e dronëve.
Ai tha se 500 njerëz ishin tani në qendrat e akomodimit të përkohshëm në të gjithë rajonin dhe energjia ende nuk ishte rivendosur plotësisht në disa rrethe, duke përfshirë qytetin e Graivoron.
Të martën në një mesazh në Telegram, Legjioni i Lirisë për Rusinë e quajti sulmin e së martës në Belgorod një “operacion paqeruajtës”.
Ai tha se qëllimi ishte krijimi i një “zone të çmilitarizuar midis Rusisë dhe Ukrainës, për të shkatërruar forcat e sigurisë që i shërbejnë regjimit të Putinit dhe për t’i demonstruar popullit të Rusisë se ekziston mundësia që të luftohet me sukses kundër regjimit të Putinit.
“Këto qëllime të operacionit u arritën me sukses,” tha ai.
/abcnews.al

