“Suksesi elektoral nga Rama, vetëm në rritje”, Nazarko për ndryshimet në qeveri: Dëshiron të krijojë idenë se PS ka nevojë për të rinjtë në parti

schedule17:32 - 28 Korrik, 2024

schedule 17:32 - 28 Korrik, 2024

Analisti Mentor Nazarko në një intervistë për “News Line” në ABC News, analizoi ndryshimet në qeveri nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, suksesi elektoral i Ramës është vetëm në rritje ndaj ai i lejon vetes rritje të vazhdueshme të fuqisë së vet ekzekutive, dhe kjo duket dhe tek ideja e kryeministrit se PS ka nevojë për të rinjtë në parti. Kongresi u zhvillua në shenjën e rienergjizimit, me thithjen e të rinjve në të gjithë niveleve, por urgjenca kohore përcaktuese ishte largimi i dy ministrave me eksperiencë.

Ndër të tjera Nazarko tha se kreu i qeverisë dha garanci se nuk do të preken institucionet e reja të reformës për drejtësi.

Nëse do marrim dhe analizojmë sinjalet që erdhën për konsum të brendshëm dhe të jashtëm: rienergjizim nëpërmjet të rinjve, diasporës në qeveri, në parti, zoti Rama dëshiron të krijojë idenë që PS është një organizëm në përshtatje të vazhdueshme dhe që ka hapësirë për brezin e ri.. Kjo u duk me figurën e metaforës së Helenës që mori premtimin se mund të bëhej kryeministre e ardhshme, ashtu siç u duk dhe me emrat e rinj që do vijnë në ekzekutiv. Megjithatë në partinë e drejtuar nga Rama të gjithë janë të përkohshëm, ndërrohen kuajt e vijës së parë, por vetëm ai që identifikohet me vetë partinë, sipas pluralist majestatis:, nuk lëviz. Vetëm fuqizohet. Plateja duartrokitëse ja lejon, sepse suksesi elektoral nga Rama ka qenë vetëm në rritje dhe pretendon të rritet, përballë një opozite që si u duk në reformën elektorale, lufton për mbijetesën e vet. Rama nuk ka dhënë ndonjë shenjë që ka ndërmend të tërhiqet shpejt nga politika.

Kemi stabilizim dhe rritje të forcës së Ramës, edhe nëpërmjet afrimit të të rinjve, që nuk kanë kohë të ambientohen me pushtet ekzekutiv, të grupohen, të klanizohen, etj. Në një farë kuptimi ai po tregon se s’ka asnjë lloj frike as nga zgjedhjet e ardhshme dhe as nga veprimi i institucioneve të drejtësisë, si është një narrativë e opozitës.

Në një optikë negative, zhvillimi kaq i shpeshtë i këtyre kongreseve është partizim i jetës sonë publike, nëpërmjet propagandës së fuqishme si u duk me spotet e ministrave që konsiderohen më të suksesshëm”, u shpreh analisti. Mungon megjithatë një koncept koherent, i ekonomisë, një figurë identifikuese politike e këtij koncepti, tha ai, i një ekonomie mbështetur në bujqësi, industri prodhuese, që rikthen njerëzit në vend.”, u shpreh analisti.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!