Studimi: Personat e pasur jetojnë mesatarisht një dekadë më shumë se sa të varfërit

schedule13:00 - 18 Janar, 2020

schedule 13:00 - 18 Janar, 2020

Sipas CNN, studiuesit analizuan të dhëna për më shumë se 25 mijë të rritur mbi 50 vjeç, duke kërkuar faktorë që mund të parashikonin se sa kohë ata jetuan përpara se të fillonin të vuanin nga aftësi të kufizuara të lidhura me moshën, gjendja ku nuk mund të lëviznin nga shtrati ose të gatuanin vetë.

Njerëzit e pasur jetojnë të shëndetshëm mesatarisht 9 vite më shumë sesa njerëzit e varfër.

Faktori më i madh socio-ekonomik që ndikoi në këto probleme ishte pasuria.

Ekipi zbuloi se njerëzit më të pasur shijonin pothuajse një dekadë shtesë përpara se të fillonin vështirësitë.

Nga mosha 50 vjeç, burrat më të pasur jetonin 31 vite të shëndetshme të jetës, krahasuar me më pak të pasurit, të cilët kishin vetëm 22 deri në 23 vite të shëndetshme.

Për gratë, më të pasurit ishin parashikuar të gëzonin edhe 33 vite të tjera të shëndetshme, në krahasim me 24 vite për më të varfrit.

“Ndërsa jetëgjatësia është një tregues i dobishëm i shëndetit, cilësia e jetës ndërsa plakemi është gjithashtu e rëndësishme”, tha autori kryesor Paola Zaninotto, specialist i shëndetit publik në University College London, në një deklaratë.

“Duke matur jetëgjatësinë e shëndetshme ne mund të marrim një vlerësim të numrit të viteve të jetës së kaluar në gjendje të favorshme të shëndetit ose pa aftësi të kufizuara”, shtoi ai.

Puna e studiuesve nga një ekip universitetesh në Evropë dhe SHBA është larg nga i pari që vë në pah rëndësinë që luan pasuria në sa kohë jetojnë njerëzit, megjithëse shumica janë përqendruar në jetëgjatësinë sesa në cilësinë e jetës.

Hulumtimet në vitin 2016 zbuluan se burrat në nivelin më të lartë financiar në SHBA mund të jetojnë deri në moshën 87.3 vjeç, gati 15 vite më gjatë se ata me më pak financa.

Hendeku për gratë ishte 10 vite.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, një studim në vitin 2018 zbuloi se njerëzit e varfër vdesin rreth një dekadë më herët se sa ata që janë më mirë financiarisht.

Të dhënat për hulumtimin e ri u nxorën nga dy studime të plakjes: një nga Mbretëria e Bashkuar, e cila kishte 10.754 të anketuar dhe një tjetër nga SHBA-ja, me 14.803 të anketuar.

Nuk kishte ndonjë ndryshim domethënës midis dy vendeve në lidhje me gjetjet kryesore të studimit.

“Pabarazitë në jetëgjatësinë e shëndetshme ekzistojnë në të dy vendet dhe janë me sasi të ngjashme. Në të dy vendet përpjekjet për të zvogëluar pabarazitë shëndetësore duhet të synojnë njerëzit nga grupet e pafavorshme socio-ekonomike”, shkruajtën autorët në përfundimin e tyre.

Në përgjithësi, jetëgjatësia globale e jetës gjatë lindjes në vitin 2016, viti i fundit për të cilin disponoheshin të dhëna ishte 72 vjet, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit.

Jetëgjatësia mesatare globale u rrit me 5.5 vjet midis vitit 2000 dhe vitit 2016, rritja më e shpejtë që nga vitet 1960./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!