Studentët protestues shprehen se do të vazhdojnë të presin nga qeveria plotësimin e kërkesave të tyre. Disa prej tyre, të pyetur nga ABC News, vazhdojnë të mendojnë se nuk ka nevojë për bisedime me kryeministrin. Por ndër ta ka edhe studentë që mendojnë se mund të ketë dialog me qeverinë.
Studenti 1: Siç po duket protesta është e ndarë për momentin, se disa janë këtu dhe disa te kryeministria. Shpresojmë që të vazhdojë derisa të arrijmë qëllimet tona për kërkesat që kemi thënë.
A keni menduar se si do ta përshkallëzoni?
Studenti 1: Në fakt, siç e thashë, protesta është përçarë pak dhe nuk e dimë se çfarë po bëhet sepse shumë veta mendojnë që do ishte protestë paqësore dhe u kthye në protestë me thirrje, brohoritje siç është bërë gjithmonë. Domethënë në një protestë ku nuk ka thirrje, asnjë që e drejton, të gjithë të barabartë me fleta të bardha në duar.
Studenti 2: Nuk mundet që një përfaqësi të përfaqësojë një tufë kaq të madhe studentësh sepse të gjithë duam të jemi atje në dialog me kryeministrin por që nuk mund të realizohet sepse dikush nga forumet rinore mund të marrë një shtysë dhe të futet në dialog siç ndodhi dhe mbrëmë te Top Channel, ku ishin shumica, për të mos thënë të gjithë ishin të forumeve rinore socialiste. Nuk kemi çfarë të dialogojmë këtu. Nëse do ishin disa kërkesa absurde apo të larta nga ana jonë, atëherë mund të dialogonim që të arrinim një marrëveshje mes qverisë, studentëve dhe Ministrisë së Arsimit. Duke qenë se kërkesat janë minimale çfarë do dialogojmë.
Studentja 3: Kam 5 ditë që vij këtu dhe asgjë s’po marr vesh, asgjë s’po kuptoj. Sepse nuk po bëhet asgjë. Thjesht po vimë këtu, asgjë, rutinë.
A mund të nxirrni gjë në dritë nëse nuk dialogoni?
Studentja 3: Tani ne kemi nxjerrë në fillim ankesat tona kundër Edi Ramës dhe ai nuk pranoi studentët që të bëjnë dialog. As ata as ne derisa të plotësohen kërkesat këtu jemi.
Si do të vijojë protesta sot?
Studentja 4: Sot ne kemi vendosur që të bëjmë një protestë në mënyrë të heshtur pak a shumë se kemi më shumë se një javë që jemi këtu dhe kemi paraqitur të gjitha kërkesat. Ia kemi dërguar ministres, kryeministrit dhe nuk ka asnjë përgjigje. Nuk kemi më ç’të flasim thjesht po presim që të miratohen ato kërkesat.
Kryeministri ju ka ftuar të dialogoni?
Studentja 4: Ne jemi të gjithë të barabartë këtu dhe nuk mund të zgjedhim një përfaqësi që të dialogojë me kryeministrin. Nëse ai zgjedh të dialogojë le të vijë këtu në shesh meqë janë të gjithë të mbledhur.
Studenti 5: Sot ftojmë të gjithë studentët që të vijnë këtu para kryeministrisë sepse po shohim që përgjigje po na jep vetëm zoti kryeministër. Zonja ministre nuk po duket më që të na japë përgjigje pra sot ministri i Arsimit është kryeministri. Për këtë arsye ne duhet të jemi këtu që të gjitha pikat tona duhet të plotësohen sepse nuk ka rrugë tjetër.
Studentja 6: Kërkesat tona janë minimale. Nuk kanë nevojë për dialog. Kryeministri e bëri shumë të qartë që është i gatshëm t’i plotësojë të gjitha kërkesat tona dhe duhet të bëjë një dialog. Ne nuk kuptojmë, për çfarë dialogu ka nevojë kryeministri apo për të plotësuar egon e tij personale? Ne mendojmë se kërkesta janë minimale dhe nuk mendoj se ka nevojë për dialog për këto kërkesa dhe gjithashtu dua të bëj të qartë që këtë ndarjen tonë unë nuk e shikoj si përçarje. Është thënë edhe dje. Nuk është përçarje është mënyra që ne kemi zgjedhur të vazhdojmë të përshkallëzojmë protestën tonë.
Studenti 5: Sot është dita e tetë që ne protestojmë. Gjatë gjithë kohës ne kemi patur mbështetjen e profesorëve dhe prindërve tanë. Sot dua të shpreh që një nga pedagogët tanë që na ka mbështetur është proceduar nga policia dhe nga telkevizioni dua t’i shpreh mbështetjen profesorit se nuk është vetëm, por ka studentët të cilët ai i ka përkrahur dhe do jenë me të gjithë kohës./abcnews.al