Studentët i rikthehen protestës para Kryeministrisë, vijojnë bojkotin

schedule16:01 - 7 Janar, 2019

schedule 16:01 - 7 Janar, 2019

Edhe pas kthimit nga pushimet, studentët e universiteteve publike kanë bojkotuar mësimin. Një grup studentësh janë mbledhur sot para Kryeministrisë duke vazhduar protestën e tyre. Listës së kërkesave i kanë shtuar edhe shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë.

Janë kthyer nga pushimet për ta nisur aty ku e lanë. 7 janari shënoi rifillimin e protestave të studentëve. Axhenda nuk ka ndryshuar. Pasi mblidhen në fakultetet përkatëse nisin marshimin drejt Kryeministrisë. Janë më të pakët në numër por nuk shqetësohen. Studentët e tjerë nuk kanë dalë në shesh, por i janë bashkuar vendimit për të bojkotuar auditoret.

“Kemi dalë sot në rrugë”.

Megjithatë nuk ndjehen vetëm pasi i janë bashkuar edhe qytetarë.

“Për studentët dhe problemet tona. Unë jam pensioniste dhe nuk më rimbursohet asgjë, asnjë ilaç, paguajmë miliona dhe nuk na rimbursohet asgjë unë kam dalë për problemet e mia. Kjo protestë na dha një mësim të mirë që ky popull ka të drejtë të ngrihet jashtë partive, kjo është e reja që këta të rinj na mësuan që vendin e bën populli, dhe jo partitë që na qeverisin”.

Zgjidhja që i është ofruar nga kryeministri me vendime qeverie dhe nisjen e punës për dokumentin e  një pakti për universitetin nuk i kanë bindur studentët.

“S’kemi besim që do realizohen, dhe ai tha se janë vetëm për vitin 2018-19 këto oferta. Ofertat e masterit nuk janë ulur, nuk është se ndryshoi gjendja jonë”.

Kërkesat e tyre janë realizuar pjesërisht sipas tyre prandaj zgjidhjen e kërkojnë tek vota e parlamentit.

“Të bëhem ligje dhe jo VKM , VKM rrëzohet për 3 ditë. Nuk pamë gjërat kryesore aty”.

Protesta do të përshkallëzohet ndoshta deri në grevë urie.

“Kjo protestë është spontane, bashkë me studentët do vendosim për shkallëzimin, do ketë përshkallëzim se Rama nuk na merr seriozisht. Të ndryshohet ligji dhe jo të përdoren VKM që ndryshohen shumë shpejt.

Do disuktohet që sot me disa studentë dhe do mbledhim firma për të krijuar një forcë të re politike”.

Tashmë në listën prej 8 kërkesash është shtuar edhe një e re, shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë. Pa u realizuar siç i kërkojnë studentët, protestat do të vazhdojnë paralajmërojnë ata. /abcnews.al