Studentët e Drejtësisë dhe Ekonomikut në ditën e katërt të ngujimit

schedule14:32 - 13 Janar, 2019

schedule 14:32 - 13 Janar, 2019

Për të katërtën ditën radhazi studentët e Fakultetit të Drejtësise dhe atij Ekonomik në Tiranë vijojnë ngujimin në mjediset universitare. Ata nuk i shohin të realizuara kërkesat e tyre nga qeveria. Ndërkohë që studentët e Drejtësisë paralajmërojnë se do të vijojnë të qëndrojnë të ngujuar pa afat, studentët e Ekonomikut ende nuk kanë dalë me një vendim për vijimin e protestës së tyre.

Dritarja vijon t’i shërbejë si derë studentëve të Fakultetit të Drejtësisë të cilët hyrjen kryesore e mbajnë të bllokuar me karrige që nga e enjtja kur vendosën të ngujohen në mjediset universitare. Brenda fakultetit qëndrojnë rreth 100 persona, të cilët alternohen me njëri-tjetrin me turne. Ne nuk u lejuam të futemi në mjediset ku po qëndrojnë të rinjtë, por vetë ata na tregojnë.

“Kemi qenë të lirë të dalim, të marrim ushqim, nuk lejojmë askënd tjetër veç studentëve. Kështu është parë e arsyeshme, media të mos futet. Disa studentë nuk duan të tregojnë fytytrën se kanë marrë kërcënime të ndryshme”.

Studentët në Fakultetin e Drejtësisë kanë vendosur që ngujimin ta vijojnë pa afat pasi kërkesat e tyre nuk i gjejnë të realizuara.

“Ai duhet të bëjë ndryshime ligjore, jo VKM, e ndryshon prapë ai mendjen.  Kemi vendosur që ngujimi do vazhdojë në një afat të papërcaktuar. Do vijnë dhe persona të tjerë nga rrethet se kemi marrë garanci që mungesat nuk do vihen”.

Ndërkohë studentët kishin dhe një përgjigje për deklaratat e Kryeministrit rreth ngujimit të tyre.

“Jam shumë i lumtur që jam 20 vjec dhe nuk kam teser partie në xhep, pastaj s epër këtë votojnë njerëzit është çështje e tyre. Ne kemi bërë thirrje që pavarësisht bindjeve të tyre apo të shkuarës të bashkohen si studentë ”.

Ngujimi po vijon edhe në Fakultetin Ekonomik, por këtu situata sipas studentëve nuk ngjason me atë që na treguan të rinjtë e Drejtësisë.

“Ka policë rreth e qark fakultetit. Rojet janë dyfishuar. Tani duhej bërë ndërrimi i turneve. Duket qartë që nuk lejohet askush të futet, duan medoemeso ta sfumojnë këtë protestë. Nëse vullneti ëhstë pro mësimit do vazhdojmë, nëse janë pro bojkotit, ne do bëjmë atë që shumica vendos.  Ne nuk jemi grup huliganësh që ndalojnë të tjetër të të bëjnë mësim, të plotësohen 8 kërkesat të ndërhyhet dhe te masteri”.

Studentët e Fakultetit Ekonomik nuk kanë vendosur ende se si do ta vijojnë protestën e tyre, ndërkohë që të tjerë studentë vijojnë t’i mbështesin jashtë mjediseve universitare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!