Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka marrë pjesë në “Festivali i Kulturës Izrael –Shqipëri” të mbajtur mbrëmjen e së hënës. Gjatë fjalës së saj, diplomatja amerikane ka folur edhe një herë për mikpritjen dhe besën e shqiptarëve.
Kim u shpreh se shumë gjëra fliten për shqiptarët, por kur bota kalon situata që duhet të mbajë shënime, shqiptarët ofrojnë “bukë, kripë e zemër”.
Ambasadorja tregoi se nëse ndonjë ditë do të jetë në vështirësi, do të vijë në Shqipëri. Njëkohësisht, ajo i bëri thirrje vendeve të tjera të botës “që të nxjerrin mësime nga ky vend i vogël”, raporton BW.
“Një mënyrë e mrekullueshme për të menduar për historinë, kulturën e artin. Janë thënë shumë gjëra për shqiptarët, por e vërteta është se shqiptarët janë njerëz të mikpritjes dhe kurajos. Sa herë që dikush është në nevojë, shqiptarët ndihmojnë, e bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, e ribënë tani. Kur bota kalon në situata që duhet të mbajë shënime, shqiptarët ofrojnë bukë e kripë e zemër. Jam vërtet shumë krenare që jam këtu, e di si një qenie njerëzore, nëse do të rastis të jem në vështirësi, do të vij në Shqipëri. Këto janë mësime që duhet t’i mësojë bota nga ky vend i vogël…Është një vend i vogël me zemër të madhe.” /abcnews.al/