Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka pritur në një takim kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Stoltenberg ripërsëriti edhe njëherë se anëtarësimi i Maqedonisë në Aleancën Ushtarake do të bëhet vetëm pas finalizimit të marrëveshjes për emrin e ri.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, priti në një takim kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Pas bisedës vlerësoi pozitivisht marrëveshjen me Greqinë rreth çështjes së emrit. Stoltenberg edhe një herë theksoi se vetëm pas finalizimit të marrëveshjes vendi do të hyjë në NATO.
Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s: “Problemi me emrin qëndronte për një kohë të gjatë në rajon, tani kemi mundësi për një të ardhme më të mirë. Marrëveshja shërben si shembull për të tjerët se si me të, mund të konsolidohet paqja dhe stabiliteti. Pres që në samitin pas dy javësh, të ftoheni në negociata për anëtarësim, ndërsa pas finalizimit të marrëveshjes, të hyni në NATO. Pa e finalizuar, nuk mund ta bëni këtë. Dera e NATO-s është e hapur, mos e humbni këtë mundësi”.
Përderisa finalizimi, respektivisht zbatimi i marrëveshjes varet nga rezultati i referendumit që pritet të mbahet në vjeshtë, kryeministri, Zaev iu bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë të votojnë pozitivisht.
Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë: “Republika e Maqedonisë ndërtoi ura për të zgjidhur mosmarrëveshjet me vendet fqinje. Marrëveshja me Greqinë hapi procesin që më në fund të bëhemi pjesë e NATO-s. Hap pas hapi, në vetëm një vit vendi ynë ka arritur atë që askush nuk mund të kishte parashikuar. Vullneti i fortë për të zgjidhur mosmarrëveshjet na solli shumë lajme të mira. Tani kemi për çfarë të bashkohemi. Le t’i themi “po” të ardhmes sonë”.
Ndërkohë, samiti i NATO-s mbahet me 12 Korrik. Maqedonia pritet të marrë zyrtarisht ftesë për hapjen e negociatave të anëtarësimit, dhe më pas në rast se marrëveshja me Greqinë zbatohet, do të bëhet anëtar me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut./abcnews.al

