NATO nuk do të lejojë që Putini të fitojë luftën që ai filloi kundër Ukrainës dhe do t’i japë ndihmë Forcave të Armatosura të Ukrainës për aq kohë sa duhet, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp pas një takimi me kryeministrin rumun Nicolae Ciuca, kur u pyet për të parashikuar se sa mund të zgjasë lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
“Luftërat janë nga natyra të paparashikueshme. Unë nuk do të spekuloj se sa do të zgjasë lufta. Unë do të them vetëm dy gjëra, dhe njëra është se ne jemi të gatshëm të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa duhet. Nuk mund ta lejojmë Putinin të fitojë. Kjo do të ishte një katastrofë, një tragjedi për ukrainasit, por gjithashtu do të na bënte ne, aleatët e NATO-s, më të prekshëm. Sepse atëherë mësimi nga Ukraina për Presidentin Putin është se ai mund të arrijë qëllimet e tij duke përdorur forcën ushtarake. Dhe ky do të jetë një mësim jo vetëm për të, por edhe për liderë të tjerë autoritarë në mbarë botën”, tha Stoltenberg. /abcnews.al